Amorim po e ndryshon Milanin! Dy fitore në dy ndeshje, kuqezinjtë shpërthejnë

AC Milan ka regjistruar fitoren e dytë radhazi në Serie A, duke mposhtur Venezia-n me rezultatin 2-0. Trajneri Ruben Amorim ka nisur në mënyrën më të mirë aventurën e tij në krye të kuqezinjve, ndërsa paraqitja e skuadrës dhe reagimi i tifo...

gusht 29, 2026 - 12:00
Amorim po e ndryshon Milanin! Dy fitore në dy ndeshje, kuqezinjtë shpërthejnë

AC Milan ka regjistruar fitoren e dytë radhazi në Serie A, duke mposhtur Venezia-n me rezultatin 2-0. Trajneri Ruben Amorim ka nisur në mënyrën më të mirë aventurën e tij në krye të kuqezinjve, ndërsa paraqitja e skuadrës dhe reagimi i tifozëve në San Siro kanë qenë pozitive.

Pas eksperiencës së suksesshme te Sporting dhe periudhës zhgënjyese te Manchester United, Amorim duket se po e rindërton karrierën e tij te Milani. Ndeshja ndaj Venezia-s ishte gjithashtu hera e parë që portugezi përjetoi atmosferën e San Siros nga pankina, p◄rcjell ORAinfo.

Dy ndeshje, dy fitore

Vetëm tre muaj më parë, San Siro ishte skena e fundit për Massimiliano Allegrin në drejtimin e Milanit, pas humbjes ndaj Cagliarit që i kushtoi skuadrës edhe një vend në Champions League.

Tani situata është krejtësisht ndryshe. Milani ka marrë gjashtë pikë në dy javët e para, duke e nisur sezonin me ritëm maksimal. Për momentin, kuqezinjtë kanë edhe mundësinë të qëndrojnë në krye të tabelës.

Katër golat e shënuar në dy ndeshjet e para kanë ardhur në pjesën e dytë, ndërsa një tjetër element pozitiv ka qenë ndikimi i lojtarëve të aktivizuar nga stoli.

Gonçalo Ramos ishte një prej protagonistëve kryesorë ndaj Venezia-s. Sulmuesi fillimisht shpërdoroi disa raste, por më pas tregoi instinktin e një goleadori, duke realizuar me një goditje të vështirë që përfundoi në rrjetë.

Ndërrimet e Amorimit bëjnë diferencën

Milani pati vështirësi për të krijuar raste dhe për të sjellë surpriza në fazën sulmuese gjatë pjesës më të madhe të takimit.

Amorim reagoi duke aktivizuar Adrien Rabiot dhe Alexis Saelemaekers në repartin ofensiv. Vendimi i trajnerit portugez rezultoi vendimtar.

Veçanërisht Saelemaekers solli kreativitetin e munguar. Fillimisht ai asistoi Gonçalo Ramosin për golin e parë, ndërsa më pas dha pasimin që i dha mundësinë Jasharit të krijonte aksionin që përfundoi me autogol.

Ky është një tjetër sinjal pozitiv për Amorimin, i cili duket se po tregon aftësi për të ndryshuar rrjedhën e ndeshjeve përmes zëvendësimeve.

Tani vjen testi i Juventusit

Milani do të përballet me Juventusin të dielën e ardhshme, në një sfidë që pritet të jetë testi i parë i rëndësishëm për skuadrën e Amorimit.

Të dyja skuadrat synojnë të rikthehen në nivelet e tyre më të larta pas një sezoni jo bindës. Për këtë arsye, përballja në Torino pritet të tregojë më qartë se sa larg mund të shkojë Milani i ri nën drejtimin e trajnerit portugez.

Me mbylljen e merkatos të martën, të dy trajnerët do të kenë pak hapësirë për ndërhyrje të minutës së fundit. Pas kësaj sfide, do të jetë më e qartë se çfarë potenciali kanë skuadrat në dispozicion për pjesën tjetër të sezonit. /ORAinfo/


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.