Analizë: 25 vjet nga Marrëveshja e Ohrit, ligjet në letër kurse zbatimi ngec në vetëm 58% të instrumenteve (Dokument)
Njëzet e pesë vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit në Maqedoninë e Veriut, niveli mesatar i instrumenteve për zbatimin e pesë shtyllave kryesore arrin në vetëm 58%, duke nxjerrë në pah një hendek të thellë mes miratimit të ...
Njëzet e pesë vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit në Maqedoninë e Veriut, niveli mesatar i instrumenteve për zbatimin e pesë shtyllave kryesore arrin në vetëm 58%, duke nxjerrë në pah një hendek të thellë mes miratimit të kornizës ligjore dhe zbatimit të saj në praktikë. Sipas të dhënave nga analiza e ekspertes Lura Pollozhani të përgatitur për Fondacionin Metamorfozis, vlerësimit për periudhën 2001–2026, mungesa e mekanizmave të qëndrueshëm të financimit, mbikëqyrjes dhe sanksionimit ka bërë që shumica e shtyllave të përballen me stagnim disavjeçar ose ngushtim të interpretimit, shkruan Portalb.mk.
Te shtylla e decentralizimit fiskal, të ardhurat vetanake të komunave kanë mbetur në 5,25% të BPV-së, duke shënuar stagnim që nga viti 2011 dhe duke mbetur larg objektivit vendor prej 7,00% dhe mesatares së BE-së prej 11,2%. Ndërkohë, përfaqësimi i drejtë shënon nivelin më të dobët të instrumenteve me vetëm 38% pas shfuqizimit të mekanizmit të „Balancuesit“ pa një alternativë ligjore të miratuar, teksa përfaqësimi i shqiptarëve në sektorin publik kap shifrën 21,70%, duke bërë që asnjë komunitet të mos e arrijë plotësisht objektivin e përcaktuar.
Gjendje e ngjashme e ngecjes vërehet edhe te shtyllat e tjera, ku Ligji për Përdorimin e Gjuhëve pret prej 7 vitesh një vendim përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese dhe asnjë komunë nuk e ka pranuar vullnetarisht gjuhën shqipe nën pragun prej 20%.
Në arsim, struktura mbetet e pandryshuar prej një dekade, me më pak se 13% të nxënësve në arsimin fillor që kanë mundësi teorike për kontakt ndëretnik, ndërsa mekanizmi i votimit të dyfishtë (Badinter) nuk ka zbatuar asnjë nga tre rekomandimet e rishikimit të vitit 2015, duke lënë vendimet buxhetore tërësisht jashtë mbrojtjes procedurale.
Kujtojmë se 25 vjet nga Marrëveshja e Ohrit, institucionet janë përqendruar kryesisht te miratimi i ligjeve në letër, ndërkohë që mungesa e vullnetit politik dhe e mjeteve ekzekutive ka penguar integrimin e plotë dhe funksionimin e barabartë shoqëror. 
Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.