ANALIZË: Borxhi kreditor ndaj bankave në RMV tejkaloi 8 miliardë euro, të dhëna të përmbledhura për vitin bankar 2024

Qytetarët gjithnjë e më shumë po e rrisin “minusin” në llogaritë rrjedhëse, e po ashtu rritet borxhi i tyre në bazë të kredive për banesa dhe atyre konsumatore. Të dhënat e përmbledhura të BPM-ja për vitin bankar 2024 tregojnë se shuma e totalit të kredive, si të amvisërive ashtu edhe të sektorit të korporatave, e […]

shkurt 3, 2025 - 09:00
 0  5
ANALIZË: Borxhi kreditor ndaj bankave në RMV tejkaloi 8 miliardë euro, të dhëna të përmbledhura për vitin bankar 2024
Bankë. Foto: Portalb.mk

Qytetarët gjithnjë e më shumë po e rrisin “minusin” në llogaritë rrjedhëse, e po ashtu rritet borxhi i tyre në bazë të kredive për banesa dhe atyre konsumatore. Të dhënat e përmbledhura të BPM-ja për vitin bankar 2024 tregojnë se shuma e totalit të kredive, si të amvisërive ashtu edhe të sektorit të korporatave, e ka kaluar vlerën 8 miliardë euro. Vetëm në bazë të kredive konsumatore borxhi i qytetarëve arriti në gati 2,1 miliardë euro. Shuma e depozitave të kursimeve ka arritur në 9,7 miliardë euro dhe, sipas llogaritjes së Portalb-it, 55,6% e depozitave janë në denarë, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

Amvisëritë kanë më shumë se 4 miliardë euro borxh – marrin borxhe për banesa, i shlyejnë bilancet negative në llogaritë e tyre të transaksioneve…

Totali i borxhit kreditor në banka, i qytetarëve dhe i kompanive ka kaluar 8 miliardë euro – niveli historikisht më i lartë. Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, borxhi i amvisërive arriti në pothuajse 4,1 miliardë euro, kurse borxhi i korporatave arriti në 3,9 miliardë euro. Sipas të dhënave të përmbledhura të BPM-së për vitin 2024, në muajin e fundit të vitit është regjistruar një përqindje vjetore dyshifrore e rritjes së totalit të kredive, prej rreth 11,2%, kurse rritja në bazë mujore në muajin dhjetor krahasuar me muajin nëntori ishte 2,7%.

Infografik: Fsinik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fsinik Xhelili/Portalb.mk

Në fund të vitit të kaluar është vërejtur një ritëm “tronditës” i kreditimit të sektorit korporativ, përkatësisht kompanive, me rritje vjetore prej 13,9%, kryesisht për shkak të rritjes së kreditimit në monedhën vendase – në denarë. Rritja prej 8,8% e kredive për amvisëritë gjithashtu është rezultat i rritjes së kredive në denarë.

Qytetarët më së shumti kanë borxh në bazë të kredive konsumatore, në vlerë prej gati 2,1 miliardë euro dhe kjo shumë është rritur për madje 27 milionë në dhjetor në krahasim me nëntorin e vitit të kaluar. Në bazë të kredive për banesa borxhi ndaj bankave është 1,5 miliardë euro, ndërsa në vendin e tretë janë kartelat kreditore për të cilat qytetarët kanë borxh 145 milionë euro.

Infografik: Fsinik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fsinik Xhelili/Portalb.mk

Në fund të dhjetorit u “fry” edhe baza e depozitave – shuma e totalit të depozitave të kursimeve i kaloi 9.7 miliardë euro, nga të cilat 6,4 miliardë euro janë të amvisërive, kurse 2,8 miliardë euro të sektorit të korporatave. Nga llogaritja rezulton se gati 66% e bazës së depozitave në banka i përket qytetarëve.

Infografik: Fsinik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fsinik Xhelili/Portalb.mk

Analiza e të dhënave që e ka bërë Portalb-i tregon se 5,4 miliardë euro ose 55,6% e totalit të depozitave të kursimeve janë në denarë, ndërsa pjesa e mbetur prej 44,3% janë depozita në valutë të huaj.

Megjithëse analizat e mëparshme treguan se ky vit duhet të fillojë me lehtësim të mëtejshëm të politikës monetare, sinjalet e reja nga BE-ja paralajmërojnë një shtrëngim të mundshëm. Hulumtimi i ri nga Banka Qendrore Evropiane tregon për rritjen e rreziqeve për rritjen ekonomike për shkak të rritjes së tensioneve tregtare. Vigjilenca e BE-së është rritur edhe pas njoftimeve dhe vendimeve të presidentit të ri të SHBA-ve, Trumpit, për të vendosur dogana dhe tarifa doganore ndaj Kinës, Kanadasë dhe Bashkimit Evropian, të cilat do të shkaktonin çrregullime në flukset tregtare dhe të prodhimit. Në raportin e BQE-së thuhet se kushtet e kreditimit janë shtrënguar në tremujorin e fundit të vitit të kaluar dhe kjo tendencë pritet të vazhdojë edhe në tre muajt e parë të këtij viti.

Anketa e grupeve bankare tregon se në tre muajt e parë të këtij viti pritet një shtrëngim i kushteve të kreditimit si për individët ashtu edhe për kompanitë, që sinjalizon një tendencë ngadalësimi të rritjes së kreditimit.

Nga terrenin vendor, vlerësimet tani për tani tregojnë një lehtësim të inflacionit, i cili është faktor kyç nga i cili varet nëse BPM-ja do ta shtrëngojë apo do ta lehtësojë politikën monetare, nga e cila, nga ana tjetër, varet edhe politika kreditore e bankave. Edhe pse bankierët vazhdojnë të ndjekin politika të kujdesshme kreditimi, megjithatë në periudhën e kaluar është regjistruar një tendencë rënëse e normave të interesit, që është një nga faktorët e rritjes së kërkesës për kredi.