Arabia, Turqia dhe Pakistani formojnë një “NATO” të vogël, kush e sulmon njërën, i sulmon të gjitha
Arabia Saudite, Turqia dhe Pakistani kanë nënshkruar të premten një marrëveshje të përbashkët të mbrojtjes, sipas së cilës një sulm i armatosur ndaj cilitdo prej tri shteteve do të konsiderohet sulm ndaj të gjithëve. Ajo u quajt “Marrëvesh...


Arabia Saudite, Turqia dhe Pakistani kanë nënshkruar të premten një marrëveshje të përbashkët të mbrojtjes, sipas së cilës një sulm i armatosur ndaj cilitdo prej tri shteteve do të konsiderohet sulm ndaj të gjithëve.
Ajo u quajt “Marrëveshja e Përbashkët e Mbrojtjes e Mekës” dhe u nënshkrua në qytetin e shenjtë saudit, gjatë takimit ndërmjet princit të kurorës, Mohammed bin Salman, presidentit Recep Tayyip Erdogan dhe kryeministrit Shehbaz Sharif.
Pakti bashkon tri shtete me shumicë myslimane sunite dhe me kapacitete të konsiderueshme strategjike: Arabinë Saudite të pasur me naftë, Pakistanin – fuqi bërthamore – dhe Turqinë, e cila ka ushtrinë e dytë më të madhe në NATO dhe një industri të mbrojtjes në rritje.
“Marrëveshja synon të forcojë parandalimin kolektiv kundër çdo akti agresioni dhe përcakton se çdo sulm i armatosur kundër cilitdo prej tri shteteve do të konsiderohet si sulm kundër të gjithëve”, thuhet në deklaratat identike të Ministrisë së Jashtme të Pakistanit dhe Drejtorisë së Komunikimeve të Presidencës së Turqisë, raporton AP.
Nënshkrimi i saj vjen në një periudhë të pasigurisë së shtuar në rajon, përfshirë luftën në Iran. Infrastruktura kritike dhe objektet e naftës të Arabisë Saudite janë sulmuar në kuadër të këtij konflikti, ndërsa Riadi ka synuar diversifikimin e partneriteteve në fushën e mbrojtjes.
Pakistani dhe Arabia Saudite kishin nënshkruar në shtator edhe një pakt dypalësh të mbrojtjes së ndërsjellë, i cili po ashtu përcakton se sulmi ndaj njërës palë konsiderohet sulm ndaj tjetrës.
Marrëveshja trepalëshe vjen gjithashtu në kohën e rritjes së tensioneve ndërmjet Turqisë dhe Izraelit për Gazën dhe konfliktet e tjera rajonale, përfshirë ato në Iran dhe Liban.
Një zyrtar i Qeverisë turke e ka përshkruar marrëveshjen si “tërësisht mbrojtëse”, duke theksuar se palët janë zotuar për mbështetje të ndërsjellë vetëm për qëllime të mbrojtjes.
Sipas tij, pakti “nuk është kundër ndonjë aktori të caktuar” dhe mbetet i hapur që në të ardhmen t’i bashkohen edhe shtete të tjera të rajonit.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.
