Arben Taravari në Tearcë: Shqiptarët gjithmonë janë bashkuar në momentet më kritike
Në tubimin qendror të Aleancës për Shqiptarët në Tearcë, në mbështetje të kandidatit për kryetar komune Nazim Taipi, kreu i ASh-së Arben Taravari mbajti një fjalim të fuqishëm për nevojën e unitetit politik shqiptar dhe përvojat historike që kanë ndikuar në ndarjet e së kaluarës informon Tetovasot. “Shumë njerëz na pyesin pse u bashkuam. Shqiptarët […]

Në tubimin qendror të Aleancës për Shqiptarët në Tearcë, në mbështetje të kandidatit për kryetar komune Nazim Taipi, kreu i ASh-së Arben Taravari mbajti një fjalim të fuqishëm për nevojën e unitetit politik shqiptar dhe përvojat historike që kanë ndikuar në ndarjet e së kaluarës informon Tetovasot.
“Shumë njerëz na pyesin pse u bashkuam. Shqiptarët në momentet më kritike kanë ditur të bashkohen,” – tha Taravari, duke kujtuar se bashkimi duhej të kishte ndodhur shumë më herët, që nga viti 2002.
Sipas tij, pikërisht atëherë ishte momenti kur duhej ndërtuar një front i përbashkët shqiptar për ta ndryshuar rrënjësisht shtetin. “Ka pasur tentativa për bashkim edhe atëherë, por disa forca të panjohura e kanë pamundësuar këtë proces. Po të kishte ndodhur, Marrëveshja e Ohrit do të ishte zbatuar me kohë, dhe Maqedonia sot do të ishte anëtare e Bashkimit Evropian,” u shpreh Taravari.
Ai përmendi edhe vitin 2008 si një moment tjetër kritik, kur – siç tha – kishte përpjekje për bashkim të partive shqiptare. “Në ato zgjedhje, që ishin turpi i botës, shqiptarët u përplasën mes vete në vend që të qëndronin të bashkuar. Ato ishin zgjedhjet më të këqija në historinë e Maqedonisë së Veriut.”
Taravari kujtoi se duhej pritur deri në vitin 2018 që vendi të bëhej anëtar i NATO-s dhe shtoi se, si kandidat për president vitin e kaluar, kishte paralajmëruar që të mos përsëritej “Bukureshti i vitit 2008”, i cili, sipas tij, i kushtoi vendit dhjetë vjet vonesë drejt anëtarësimit në Aleancë.
“Të dy kryeministrat shqiptarë, Albin Kurti dhe Edi Rama, më kanë pyetur nëse mund të bëhemi bashkë. U kam thënë: po, le të bëhemi bashkë të paktën deri sa të fillojnë negociatat për BE. Edhe me z. Ali Ahmeti e kam biseduar këtë çështje dhe më tha: ‘Kryetar, provo, por kjo punë nuk bëhet’. Ishte mision i pamundur, edhe pse mbështetjen e kisha nga të dy kryeministrat shqiptarë,” tha Taravari.
Ai theksoi se, ndryshe nga disa politikanë maqedonas, “këtë shtet më shumë e duan shqiptarët, turqit dhe të tjerët sesa vetë politikanët maqedonas.”
Në fund të fjalimit, kreu i Aleancës për Shqiptarët foli edhe për periudhën e pjesëmarrjes në qeverinë e Mickoskit dhe arsyet e daljes nga ajo marrëveshje:
“Ne nuk mund ta durojmë këtë nënshtrim. Prandaj vendosëm të dalim, sepse dinjiteti dhe barazia janë vlera që nuk negociohen.”Tetovasot
