Arbër Ademi: Po u drejtohem edhe votuesve të VLEN-it, a ka shtet ligjor në Maqedoninë e Veriut apo s’ka fare?
Sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Arbër Ademi, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me çështjen e tabelave shtetërore dhe zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Ja reagimi i plotë: Sot nuk e ndiej të nevojshme të po...
Sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Arbër Ademi, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me çështjen e tabelave shtetërore dhe zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.
Ja reagimi i plotë:
Sot nuk e ndiej të nevojshme të polemizoj me asnjë zyrtar të VLEN-it. Nuk është vetëm çështjeje politike, nuk është vetëm çështjeje e sundimit të ligjit, por është përtej gjithë kësaj. Prandaj e ndiej obligim t’u drejtohem qytetarëve të këtij vendi, përfshirë edhe votuesve të VLEN-it, me një pyetje të thjeshtë: A vlejnë ligjet njësoj për të gjithë, apo zbatohen dhe shkelen vetëm kur i konvenojnë pushtetit?
Shumë herë deri më sot e kemi thënë se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve është ligj special (lex specialis). Kjo do të thotë se, për çështjet që rregullon, ai ka përparësi ndaj ligjeve të tjera.
Konkretisht për çështjen e tabelës shtetërore të vendosur sot, neni 16, paragrafi 2, është krejtësisht i qartë: në vendkalimet kufitare dhe aeroportet që ndodhen në rajonet ku së paku 20% e qytetarëve flasin gjuhë tjetër nga maqedonishtja, emërtimet, mbishkrimet dhe udhërrëfyesit vendosen edhe në atë gjuhë. Ligji nuk flet për njësinë e vetëqeverisjes lokale, por për rajonin, dallim thelbësor që nuk mund të shpërfillet apo të interpretohet sipas interesit politik të ditës.(INA)
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.