Arlinda Hasani Sinani pritet të votohet zv.guvernatore e Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut

Sot në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut votohet për Arlinda Hasani Sinanin, e propozuar për pozitën e zëvendësguvernatores së Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut. Arlinda Hasani Sinani ka 22 vite përvojë në sektorin bankar...

shtator 2, 2026 - 13:00
Arlinda Hasani Sinani pritet të votohet zv.guvernatore e Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut

Sot në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut votohet për Arlinda Hasani Sinanin, e propozuar për pozitën e zëvendësguvernatores së Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut.

Arlinda Hasani Sinani ka 22 vite përvojë në sektorin bankar, ku ka ushtruar një sërë detyrash profesionale dhe drejtuese në fushën e kreditimit, menaxhimit të rrezikut dhe bankingut afarist.

Propozimi për të është dorëzuar në Kuvend nga guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, pas përfundimit të procedurës së konkursit publik.

Arlinda Hasani Sinani pritet të zëvendësojë Fadil Bajramin, mandati i të cilit përfundon më 14 shtator 2026, pas tre mandateve shtatëvjeçare në pozitën e zëvendësguvernatorit.

Karrierën e ka nisur në ProCredit Bank si analiste krediti, për të vazhduar më pas në pozita të ndryshme drejtuese, përfshirë drejtoreshë të ekspoziturës, drejtoreshë të Qendrës së Biznesit dhe drejtoreshë të Sektorit për Ndërmarrje të Vogla dhe të Mesme.

Në Stopanska Banka AD Shkup ka ushtruar funksionin e drejtoreshës së filialit, ndërsa që nga viti 2023 është drejtore rajonale për rajonin veriperëndimor.

Në të gjitha pozitat menaxheriale, ajo ka dëshmuar rezultate dhe ka kontribuar në rritjen e performancës së njësive bankare që ka drejtuar.

Gjatë karrierës profesionale, ajo ka qenë gjithashtu pjesë e Komitetit për Rrezik, Komitetit për Rrezikun Kreditor, ALCO-s dhe Komitetit për Burime Njerëzore.

Ajo është ekonomiste e diplomuar në Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe ka përfunduar programe të specializuara për menaxhim të mesëm dhe të lartë në ProCredit Academy në Frankfurt të Gjermanisë.
Arlinda Hasani Sinani është nënë e dy djemve dhe jeton në Tetovë. Me një karrierë prej më shumë se dy dekadash, ajo sjell përvojë të gjatë në menaxhim, kreditim, menaxhim të rrezikut dhe zhvillim të biznesit.(INA)


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.