Arrestohen tre persona për vjedhjen e 129 milionë dollarëve përmes inteligjencës artificiale
Tre persona janë arrestuar në Evropë, pasi dyshohet se për rreth dy vite kanë përdorur inteligjencën artificiale për të mashtruar kompani të ndryshme, duke përvetësuar rreth 129 milionë dollarë (115 milionë euro), shkruan tgcom24.it. Jacob ...
Tre persona janë arrestuar në Evropë, pasi dyshohet se për rreth dy vite kanë përdorur inteligjencën artificiale për të mashtruar kompani të ndryshme, duke përvetësuar rreth 129 milionë dollarë (115 milionë euro), shkruan tgcom24.it.
Jacob Soall, Sharon Hazan dhe Guy Sheetrit, të cilët njiheshin me pseudonimet “Rocky Balboa”, “Superman Cash” dhe “Fat Boy”, akuzohen se kanë përdorur teknologjinë e inteligjencës artificiale për t’u paraqitur si drejtues të lartë kompanish dhe avokatë të njohur, me qëllim bindjen e punonjësve për të kryer transferta të mëdha financiare.
Sipas aktakuzës së bërë publike së fundmi, skema mashtruese është zhvilluar nga korriku 2024 deri në shkurt 2026. Të dyshuarit përdornin inteligjencën artificiale për të klonuar zërin dhe imazhin e drejtuesve të kompanive, duke kontaktuar punonjësit përmes telefonatave dhe videothirrjeve.
Ata pretendonin se po zhvillonin operacione financiare konfidenciale dhe kërkonin ndihmë për realizimin e transfertave. Për ta bërë skemën më bindëse, mashtruesit paraqiteshin edhe si avokatë të firmave të mëdha ndërkombëtare, duke krijuar përshtypjen se transaksionet ishin të ligjshme dhe të konfirmuara nga profesionistë të fushës.
Punonjësit udhëzoheshin të transferonin shuma të konsiderueshme parash në llogari bankare të kontrolluara nga organizatorët. Më pas, paratë konvertoheshin në kriptomonedha për të fshehur origjinën e tyre dhe për t’i shpërndarë mes anëtarëve të grupit.
Në shënjestër spitale, banka dhe kompani ndërkombëtare
Mes viktimave të skemës mashtruese janë kompani dhe institucione të ndryshme në SHBA dhe vende të tjera. Sipas aktakuzës, grupi ka përvetësuar afro 5 milionë dollarë nga një sistem spitalor në Misuri, ndërsa rreth 3 milionë dollarë nga një bankë në Rhode Island dhe një sistem spitalor në Kaliforni.
Një nga goditjet më të mëdha financiare ishte ndaj një kompanie të teknologjisë financiare me lidhje në Mbretërinë e Bashkuar, së cilës iu vodhën 11.578.474 dollarë.
Në listën e viktimave përfshihen gjithashtu një kompani investimesh në Masaçusets, me një humbje prej 4.639.918 dollarësh, si dhe një kompani amerikane e produkteve ushqimore për kafshë shtëpiake në Florida, së cilës iu morën 5.242.747 dollarë.
Tre të dyshuarit u arrestuan në Evropë gjatë periudhës qershor-shtator dhe aktualisht presin ekstradimin në SHBA. Ata do të përballen me akuza për komplot kriminal, pastrim parash dhe vepra të tjera penale. Aktakuza është depozituar në një gjykatë federale në Nju Jork.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.