As në koncertin e Pavarësisë në Kumanovë nuk pati asnjë artist shqiptar, vazhdon diskriminimi nga qeveria

Pas Ohrit, edhe n koncertin shtetëror të organizuar në Kumanovë me rastin e 35-vjetorit të Pavarësisë, asnjë nga artistët që performuan mbrëmë asnjë nuk ishte shqiptar pavarësisht se Kumanova është një qytet ku shqiptarët përbëjnë rreth 40 ...

gusht 18, 2026 - 23:30
As në koncertin e Pavarësisë në Kumanovë nuk pati asnjë artist shqiptar, vazhdon diskriminimi nga qeveria

Pas Ohrit, edhe n koncertin shtetëror të organizuar në Kumanovë me rastin e 35-vjetorit të Pavarësisë, asnjë nga artistët që performuan mbrëmë asnjë nuk ishte shqiptar pavarësisht se Kumanova është një qytet ku shqiptarët përbëjnë rreth 40 përqind të popullsisë, raporton Portalb.mk.

Për përjashtimin e shqiptarëve nga ky organizim ka reaguar partia opozitare Aleanca për Shqiptarët e cila thotë se ky veprim e tejkalon çdo kufi të absurdit.

“Kjo situatë ngre një pyetje serioze rreth përfaqësimit dhe bashkëqeverisjes, aq më tepër që VLEN aktualisht është pjesë e qeverisë si përfaqësues i shqiptarëve. Një manifestim shtetëror, i cili në thelb duhej të simbolizonte bashkëjetesën dhe shtetin e përbashkët, nuk mund të organizohet duke përjashtuar krejtësisht nga skena shqiptarët, komunitetin e dytë më të madh në këtë shtet multietnik”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.

Nga aty thonë se shqiptarët nuk duhet të trajtohen si qytetarë të dorës së dytë në manifestime shtetërore, dhe VLEN, si pjesë e kësaj qeverie duhet të japë shpjegime dhe të marrë përgjegjësi për këtë situatë të krijuar.

Në prag të 35 vjetorit të pavarësisë së vendit dhe 25 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, Qeveria e Maqedonisë së Veriut vazhdon ta anashkalojë gjuhën shqipe dhe shqiptarët, të cilët përbëjnë rreth 30 përqind të popullsisë.

Rasti i fundit ku shqiptarët dhe gjuha shqipe janë anashkaluar është videoklipi për 35 vjetorin e pavarësisë së vendit i publikuar dje nga Qeveria dhe kryeministri Hristijan Mickoski.

Përveç se videoklipi nuk është i përkthyer në shqip, në përmbajtje nuk ka thuajse asnjë element shqiptar, me raste paraqiten disa sekuenca nga Çarshia e Vjetër e Shkupit, por pa asnjë kontekst i cili asocon te shqiptarët.

Portalb.mk kërkoi nga Qeveria se pse gjuha shqipe dhe shqiptarët janë përjashtuar nga ky videoklip, por nuk morëm përgjigje.

Pavarësisht se VLEN është në Qeveri nga atje thonë se nuk e kanë parë spotin e 35 vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, ku janë anashkaluar shqiptarët, NATO-ja dhe BE-ja.

Zëdhënësi i VLEN-it, Driton Sulejmani, ditë më parë i pyetur për arsyejet e anashkalimit të shqiptarëve në spotin e 35 vjetur të Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, tha se nuk e ka parë spotin dhe se nuk është i informuar për planifikimin e organizimit.

“Ta them të drejtën nuk e kam parë spotin dhe nuk e di cili është planifikimi i qeverisë në lidhje me organizimin që po e përmendni, por do të marrim informata dhe do të ju njoftojmë, patjetër”, deklaroi Driton Sulejmani, zëdhënës i VLEN dhe zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës.

LEXO: VLEN nuk e ka parë anashkalimin e shqiptarëve në spotin e 35-vjetorit të pavarësisë, edhe pse është në Qeveri
Seria e paraparë të aktiviteteve kushtuar jubileut të 35-vjetorit të pavarësisë së vendit filloi në Ohër. Aktivitetet për pavarësinë zhvillohen nën moton “Fort shkëlqeu dita”, me ngjarje dhe koncerte në 11 qytete. Ajo që bie në sy edhe në këtë rast është përjashtimi i artistëve shqiptarë.

Edhe për këtë e pyetëm Qeverinë se pse nuk ka të angazhuar shqiptarë në këto organizime.

Nga Qeveria u arsyetuan se në Tetovë do të ketë të angazhuar edhe interpretues në gjuhën shqipe, duke mos dhënë detaje se kush do të jenë si dhe për ngjarjet tjera.

“Ky spektakël me rastin e 35 viteve të pavarësisë është paraparë të ketë veçori në të gjitha shfaqjet në 11 qytete, përkatësisht të jetë i ndryshëm në pjesën muzikore-skenike. Prandaj, konkretisht, është paraparë edhe program i veçantë për festimin në Tetovë dhe janë angazhuar edhe interpretues në gjuhën shqipe”, thanë nga Qeveria për Portalb.mk.

Përpos që nuk kishte shqiptarë, kishte dhe gabim me flamurin maqedonas, ku dielli me tetë rreze u zëvendësua me flamur me 12 rreze.

Karvani do të përfundojë më 4 shtator në sheshin “Maqedonia” në Shkup. Përmbyllja do të jetë performanca e David Guettas në stadiumin e qytetit në Shkup.

Më 8 shtator 1991, në Republikën e Maqedonisë u zhvillua referendum ku mbi 95% votuan për shtet të pavarur, pas të cilit u shpall Republika e pavarur e Maqedonisë, e cila deri atëherë ishte pjesë e ish-Jugosllavisë.


Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.