ASH: 8 viktima nga Ethet e Nilit – “Ky nuk është më fatkeqësi natyrore, por dështim institucional”
Aleanca për Shqiptarët ngre alarmin për menaxhimin institucional të shpërthimit të Etheve të Nilit Perëndimor, duke akuzuar institucionet për reagim të vonuar dhe dështim në parandalimin e përhapjes së virusit. Sipas ASH-së, nga viti 201...
Aleanca për Shqiptarët ngre alarmin për menaxhimin institucional të shpërthimit të Etheve të Nilit Perëndimor, duke akuzuar institucionet për reagim të vonuar dhe dështim në parandalimin e përhapjes së virusit.
Sipas ASH-së, nga viti 2011 deri në vitin 2025 në vend janë regjistruar mbi 54 raste të Etheve të Nilit Perëndimor. Vetëm gjatë këtij sezoni, sipas të dhënave të publikuara nga partia, numri ka arritur në 58 të infektuar dhe 8 viktima.
ASH vlerëson se kjo nuk mund të trajtohet thjesht si një fatkeqësi natyrore.
“Kur një sezon i vetëm tejkalon 15 vite së bashku, nuk mund të flitet më për fatkeqësi natyrore, por këtu qartazi kemi të bëjmë me dështim institucional”, thuhet në reagimin e partisë.
Sipas ASH-së, rreziku nga virusi nuk ishte i panjohur për institucionet, pasi Ethet e Nilit Perëndimor qarkullojnë prej vitesh, ndërsa muajt e verës konsiderohen periudhë me rrezik më të lartë.
Kritika kryesore lidhet me kohën e dezinsektimit. ASH pretendon se dezinfektimi ajror në Shkup është kryer më 20 dhe 21 gusht, në një kohë kur epidemia ishte shpallur tashmë dhe kishte pasur viktima.
“Vetëm kjo situatë e krijuar nuk mund të quhet menaxhim i krizës, por dështim total”, deklaron ASH.
Krahasimi me Rumaninë ngre pikëpyetje
Në reagimin e saj, ASH sjell edhe Rumaninë si pikë krahasimi.
Sipas shifrave të cituara nga partia, Rumania, me rreth 19 milionë banorë, ka raportuar 58 raste dhe 3 viktima, ndërsa Maqedonia e Veriut, me rreth 1.8 milionë banorë, ka të njëjtin numër rastesh, por 8 viktima.
Kjo nënkupton një barrë dukshëm më të lartë për popullsi në Maqedoninë e Veriut.
Sipas përllogaritjes së ASH-së, bëhet fjalë për rreth 30 raste për një milion banorë në RMV, kundrejt rreth 3 rasteve për një milion banorë në Rumani.
Edhe diferenca në mortalitet është e theksuar: rreth 3.8 viktima për një milion banorë në RMV, kundrejt rreth 0.16 në Rumani.
“Kush do të mbajë përgjegjësi?”
Për ASH-në, tashmë nuk mjaftojnë deklaratat dhe konferencat për shtyp.
Partia kërkon përgjigje konkrete për mënyrën se si është menaxhuar situata dhe ngre një sërë pyetjesh:
Kush dështoi në parandalim?
Kush ishte përgjegjës për dezinsektimin?
Pse nuk u reagua më herët?
Dhe kush do të mbajë përgjegjësi politike dhe profesionale?
“Tetë qytetarë kanë humbur jetën. Koha është për përgjegjësi konkrete, dorëheqje dhe shkarkime të atyre që kanë dështuar në menaxhimin e situatës”, përfundon reagimi i Aleancës për Shqiptarët. Gazeta Flaka
The post ASH: 8 viktima nga Ethet e Nilit – “Ky nuk është më fatkeqësi natyrore, por dështim institucional” appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.