ASH: Bërvenica dëshmoi se pajtimi është i mundur, koha e bashkimit është tani
Aleanca për Shqiptarët (ASH) e ka cilësuar rezultatin në Bërvenicë si një mesazh politik që tejkalon garën zgjedhore, duke bërë thirrje për tejkalimin e ndasive të brendshme dhe rikthimin e bashkëpunimit mes ish-bashkëpartiakëve. Në një ...
Aleanca për Shqiptarët (ASH) e ka cilësuar rezultatin në Bërvenicë si një mesazh politik që tejkalon garën zgjedhore, duke bërë thirrje për tejkalimin e ndasive të brendshme dhe rikthimin e bashkëpunimit mes ish-bashkëpartiakëve.
Në një reagim publik, ASH vlerëson se Bërvenica dëshmoi se dallimet politike të së kaluarës nuk duhet të jenë pengesë për bashkëpunim dhe se pajtimi është i mundur kur ekziston vullneti.
„Ajo dëshmoi se dallimet e së kaluarës nuk duhet të jenë pengesë për bashkëpunim dhe se aty ku ekziston vullneti, mund të gjendet edhe rruga e pajtimit“, thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët.
Duke iu referuar zhvillimeve të dy viteve të fundit, partia pranon se ka kaluar një periudhë të vështirë, të shoqëruar me ndarje, mospajtime dhe largime të figurave që për vite me radhë kanë qenë pjesë e këtij subjekti politik.
ASH rikthen në vëmendje edhe vendimin e disa ish-bashkëpartiakëve për të vazhduar rrugëtimin politik në Qeveri, duke e lidhur atë me ruajtjen e posteve dhe përfaqësimit politik.
„Tani, pas gjithë atyre zhvillimeve, është e natyrshme të shtrohet pyetja: çfarë mbeti nga ato premtime dhe sa u përfaqësuan realisht njerëzit që besuan në to?“, theksohet në reagim.
Partia vlerëson se ndjenja e të qenit i lënë pas dore, pa përfaqësim apo i nëpërkëmbur nuk duhet të shpërfillet, por të dëgjohet dhe të trajtohet me seriozitet.
Megjithatë, në mesazhin e saj, ASH thekson se mospajtimet politike nuk duhet të shkatërrojnë miqësitë dhe respektin e ndërtuar ndër vite, duke nënvizuar se askush nuk duhet të gjykohet përgjithmonë për një vendim politik të së kaluarës.
„Aleanca për Shqiptarët mbetet e hapur për dialog me të gjithë ata që kanë qenë pjesë e rrugëtimit të saj, pa paragjykime, pa kushtëzime personale dhe pa ndasi“, thuhet më tej në reagim.
Në fund, partia përcjell një mesazh për tejkalimin e përçarjeve dhe rikthimin e bashkëpunimit, duke e përmbyllur reagimin me thirrjen: „Koha e pajtimit është tani.“
„Historia e përbashkët nuk fshihet nga dy vite mospajtimesh dhe respekti për njëri-tjetrin duhet të jetë më i fortë se çdo post politik“, përfundon reagimi i ASH-së. /Flaka/
The post ASH: Bërvenica dëshmoi se pajtimi është i mundur, koha e bashkimit është tani appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.