ASH: Glorifikimi i Ratko Mlladiqit është alarm për shoqërinë
Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ashpër ndaj rasteve të glorifikimit të Ratko Mlladiqit në rrjetet sociale, duke e cilësuar një fenomen të tillë si të papranueshëm për një shoqëri që synon integrimin evropian. Përmes një reagimi publik,...
Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ashpër ndaj rasteve të glorifikimit të Ratko Mlladiqit në rrjetet sociale, duke e cilësuar një fenomen të tillë si të papranueshëm për një shoqëri që synon integrimin evropian.
Përmes një reagimi publik, ASH rikujton se Mlladiqi është dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, ndërsa thekson se krimet e kryera gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë nuk mund të shndërrohen në objekt glorifikimi apo romantizimi nacionalist.
Partia përmend veçanërisht masakrën e Srebrenicës, ku u vranë më shumë se 8 mijë burra dhe djem boshnjakë, si dhe viktimat e rrethimit dhe bombardimeve të Sarajevës.
“Kush e madhëron një kriminel lufte, fyen viktimat, familjet e tyre dhe vetë njerëzimin”, thuhet në reagimin e ASH-së.
Shqetësim i veçantë, sipas partisë, është fakti se në rrjetet sociale janë shfaqur edhe qytetarë maqedonas që shprehin admirim për Mlladiqin. ASH e sheh këtë si një sinjal alarmi për shoqërinë dhe paralajmëron për pasojat që mund të sjellë normalizimi i narrativave nacionaliste në një rajon që ka kaluar nëpër luftëra dhe konflikte të përgjakshme.
Në reagim, ASH e lidh këtë çështje edhe me ambicien e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Sipas partisë, në një shtet që synon të jetë pjesë e familjes evropiane nuk duhet të ketë hapësirë publike apo institucionale për nderimin dhe glorifikimin e personave të dënuar për gjenocid dhe krime lufte.
ASH e mbyll reagimin me një mesazh të drejtpërdrejtë: viktimat duhet të respektohen, gjenocidi nuk duhet të relativizohet dhe kriminelët e luftës nuk duhet të nderohen.
Partia kërkon që shoqëria të mos heshtë përballë glorifikimit të figurave të dënuara për krime të rënda, duke e konsideruar reagimin publik ndaj tyre pjesë të përgjegjësisë morale dhe demokratike.
The post ASH: Glorifikimi i Ratko Mlladiqit është alarm për shoqërinë appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.