ASH: Me mbylljen e shkollave Maqedonia po e humb të ardhmen e saj

Aleanca për Shqiptarët ka ngritur shqetësime lidhur me reduktimin e rreth 300 paraleleve të mësimit fillor dhe të mesëm si dhe mbylljen e terësishme të 26 shkollave duke dëmtuar kështu interesin shqiptar. Nga ASh thonë se Qeveria këtë katas...

gusht 25, 2026 - 23:00
ASH: Me mbylljen e shkollave Maqedonia po e humb të ardhmen e saj

Aleanca për Shqiptarët ka ngritur shqetësime lidhur me reduktimin e rreth 300 paraleleve të mësimit fillor dhe të mesëm si dhe mbylljen e terësishme të 26 shkollave duke dëmtuar kështu interesin shqiptar.

Nga ASh thonë se Qeveria këtë katastrofë demografike e quan optimizëm, krejt kjo për të mbuluar dështimet e veta në shumë sektor dhe duke mos pasur asnjë plan për të nxitur natalitetin

Kur një shtet humb femijët e vet, sipas ASH-së, ai shtet nuk po humb thjeshtë numra por të ardhmen e vet.

Komunikata e plotë e ASH-së:

Për fat të keq në këtë vit të ri shkollor arsimi në Republikën e Maqedonisë së Veriut po përballet me një reduktim prej rreth 200 paraleleve më pak në arsimin fillor, 100 paralele më pak në arsimin e mesëm, dhe 26 shkolla rurale të mbyllura.Këto nuk janë thjesht shifra në ndonjë raport statistikor. Këto janë klasa të zbrazëta ku dikur jehonin zërat e fëmijëve, janë fshatra pa asnjë nxënës, janë prindër që marrin valixhet dhe largohen drejt një të ardhmeje më të mirë jashtë këtij vendi, sepse këtu nuk shohin më asnjë perspektivë.

Qeveria këtë katastrofë demografike dhe arsimore e quan “optimizim”. Një term i thjeshtë për të fshehur të vërtetën e hidhur dhe të dhimbshme.Ne e quajmë me emrin e saj të vërtetë, “Dështim” dështim për të krijuar vende të reja pune, dështim për të ndërtuar shpresë, dështim për t’u ofruar qytetarëve një jetë të denjë brenda kufijve të vendit të tyre.Sepse le ta themi hapur, shkollat nuk mbyllen vetëm për shkak të uljes së kapaciteteve administrative dhe stafit nëpër shkolla në emër të efikasitetit.

Shkollat mbyllen sepse nuk ka fëmijë, numri i të porsalindurve bie nga viti në vit sepse ky shtet kjo qeveri nuk stimulon natalitetin, mungojnë politikat konkrete për të nxitur lindshmërinë, sepse familjet e reja largohen për të kërkuar një jetë më të mirë më me perspektivë në vendet evropiane dhe sepse ata që mbeten, mbeten pa besim se gjërat mund të ndryshojnë për të mirë.

Shpërngulja nuk është vetëm si rezultat i papunësisë. Ka shumë që kanë qenë të punësuar por ikën për jetë më cilësore, për rrugën me trotuare, për parqe ku mund të luajnë fëmijët, për shëtitore, për çerdhe dhe shkolla me ajrosje e klimatizim, për qetësi gjatë fundjavës, për rend në komunikacion, pa pritje në pagesa rrugore, për shëndetësi cilësore, për rend dhe drejtësi.Kur një shtet humb nxënësit e vet, kur mbyll shkollat një pas një dhe zvogëlon paralelet çdo vit, ai nuk po humb thjesht numra në regjistra por po humb vetë të ardhmen e tij.Një komb një shoqëri pa fëmijë nëpër klasa është një komb, një shoqëri që po shuhet dalëngadalë.

Maqedonia e Veriut po zbrazet çdo ditë e më shumë, në ndërkohë, qeveria vetëm regjistron dhe numëron pasojat, në vend që të veprojë për t’i parandaluar ato. Heshtja dhe indiferenca nuk janë politikë janë bashkëfajësi në këtë shpopullim.Vendi ka nevojë për përgjegjësi dhe veprim, jo për terminologji, propagandë që e kamuflojnë dështimin.Vendi ka nevojë për politikanë të përgjegjshëm vizionar që përpara interesave të ulëta personale klanore dhe partiake i vënë interesat madhore të qytetarëve.


Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.