ASh: Projekt-ligji i Karakamishevës, goditje ndaj barazisë etnike
Aleanca për Shqiptarët do ta kundërshtojë fuqishëm propozim-ligjin e hartuar nga Tanja Karakamisheva, i cili përbën një goditje të drejtpërdrejtë ndaj parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në institucionet shtetërore, theksohet në komunikatën e Aleancës për Shqiptarët të cilën MIA e transmeton në formë integrale. Ky nuk është aspak ligj reformues, por […]
Aleanca për Shqiptarët do ta kundërshtojë fuqishëm propozim-ligjin e hartuar nga Tanja Karakamisheva, i cili përbën një goditje të drejtpërdrejtë ndaj parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në institucionet shtetërore, theksohet në komunikatën e Aleancës për Shqiptarët të cilën MIA e transmeton në formë integrale.
Ky nuk është aspak ligj reformues, por një projekt i mirëfilltë për çmontimin e barazisë. Heqja e kuotave etnike, mungesa e identifikimit etnik në punësim dhe avancim, si dhe mungesa e mekanizmave ndëshkues, e shndërrojnë këtë nismë në një instrument të diskriminimit të institucionalizuar.
ASH paralajmëron se ky propozim synon të rikthejë një realitet të papranueshëm për shqiptarët në këtë shtet.
Tërheqja e një profesori shqiptar nga grupi punues, duke e cilësuar procesin si të dirigjuar, është dëshmi e qartë se ky ligj nuk buron nga nevoja për reformë, por nga një agjendë e parapërcaktuar politike.
Edhe më skandaloz është fakti që VLEN-i ka zgjedhur të rreshtohet në anën e këtij projekti, duke e lavdëruar atë dhe duke u bërë bashkëpërgjegjës politik për çdo pasojë që cenon të drejtat e shqiptarëve.
Ne kërkojmë tërheqjen e menjëhershme të këtij propozim-ligji dhe hapjen e një procesi gjithëpërfshirës, transparent dhe në përputhje me parimet kushtetuese dhe standardet evropiane për përfaqësim të drejtë.
Aleanca për Shqiptarët do të vazhdojë të jetë në vijën e parë të mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve dhe do të kundërshtojë çdo përpjekje për t’i zhbërë ato.