ASh: Reagimi i VLEN-it për tragjedinë e Tetovës është hipokrizi politike

VLEN-i sot paska zbuluar se tragjedia e Tetovës kërkon përgjegjësi institucionale dhe se publiku “i detyrohet një përgjigje”. Por, para se VLEN-i të bëjë moral për përgjegjësinë dhe drejtësinë, duhet t’u përgjigjet qytetarëve: Ku ishit ju a...

gusht 23, 2026 - 21:00
ASh: Reagimi i VLEN-it për tragjedinë e Tetovës është hipokrizi politike

VLEN-i sot paska zbuluar se tragjedia e Tetovës kërkon përgjegjësi institucionale dhe se publiku “i detyrohet një përgjigje”.

Por, para se VLEN-i të bëjë moral për përgjegjësinë dhe drejtësinë, duhet t’u përgjigjet qytetarëve: Ku ishit ju atëherë?

Dy nga kryetarët e sotëm të VLEN-it, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami, ishin pjesë e asaj qeverisjeje për të cilën sot bëjnë sikur nuk kanë pasur asnjë lidhje.

Madje, Izet Mexhiti në atë kohë ishte nënkryetar i BDI-së. Pra, sot të dalësh e ta përdorësh këtë tragjedi për të sulmuar të tjerët, duke harruar rolin dhe përgjegjësinë politike të njerëzve që sot drejtojnë VLEN-in, është shembulli më i pastër i hipokrizisë politike.

14 jetë njerëzish nuk duhet të jenë mjet për propagandë politike, as armë për luftën partiake. Familjet e viktimave meritojnë të vërtetën dhe drejtësinë. Dhe drejtësia nuk mund të kërkohet vetëm për kundërshtarin politik dhe të harrohet kur përgjegjësia prek njerëzit që sot drejtojnë VLEN-in.

Prandaj, para se VLEN-i të drejtojë gishtin nga të tjerët, le t’u përgjigjet qytetarëve:

Ku ishin Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami?
Çfarë përgjegjësie politike morën atëherë?
Çfarë kërkuan të zbardhej rasti?
Dhe pse sot sillen sikur kjo histori nuk ka asnjë lidhje me ta?

Të kërkosh drejtësi është detyrim. Por të kërkosh drejtësi duke fshirë nga historia rolin tënd politik dhe institucional, është hipokrizi e paparë.


Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.