ALTA Banka hyri zyrtarisht në Maqedoninë e Veriut në shtator të vitit 2025, në kohën kur VLEN-i ishte pjesë e Qeverisë. Sot, VLEN-i vazhdon të jetë në pushtet, por eksponentët e tij duket se kanë harruar se ku ndodheshin kur banka hyri në vend.

Aleanca për Shqiptarët i cilëson reagimet e fundit të VLEN-it si rast të amnezisë politike selektive, ku përgjegjësia kërkohet gjithandej, përveçse aty ku duhet.

Sipas ASh-së, ajo kishte paralajmëruar me kohë për rrezikun e zgjerimit të ndikimit të botës serbe në Maqedoninë e Veriut, kësaj radhe edhe në sektorin ekonomik dhe financiar. Këto shqetësime, thuhet në reagim, ishin mbështetur edhe në raportin e Komisionit Evropian.

“Po të merreshin seriozisht paralajmërimet tona, sot ndoshta nuk do të merreshim me pasojat, por do të kishim mundësi ta parandalonim problemin që në zanafillë”, thekson Aleanca për Shqiptarët.

Nga kjo parti kritikojnë edhe atë që e quajnë lojë pingpongu politike mes aktorëve të pushtetit, ku njëri ia hedh fajin tjetrit, ndërsa qytetarët mbeten spektatorë të një debati që shmang thelbin e çështjes: kush mban përgjegjësi për hyrjen e bankës në vend?

“Përgjegjësia nuk matet me atë se sa mirë arrin ta hedhësh fajin te të tjerët, por me atë se çfarë ke bërë kur ke pasur mundësinë ta parandalosh problemin”, përfundon reagimi i ASh-së.

Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.