ASK-Maqedoni ngre alarmin: Është penguar aktiviteti i një rrjeti propagandistik në funksion të interesave ruse
Agjencia për Siguri Kombëtare (ANB), në koordinim me Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) dhe Prokurorinë Publike, ka ndërmarrë veprime hetimore kundër një shtetasi maqedonas, të cilin institucionet e sigurisë e lidhin me një rrjet propag...
Agjencia për Siguri Kombëtare (ANB), në koordinim me Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) dhe Prokurorinë Publike, ka ndërmarrë veprime hetimore kundër një shtetasi maqedonas, të cilin institucionet e sigurisë e lidhin me një rrjet propagandistik me elemente të huaja, percjell Flaka kumtesen e arritur ne redaksi nga kjo agjenci.
Sipas njoftimit të ANB-së, aktivitetet janë ndërmarrë më 18 shtator 2026, në kuadër të një aksioni të koordinuar me MPB-në dhe Prokurorinë Publike.
ANB-ja thotë se bëhet fjalë për një shtetas maqedonas të ndërlidhur me faktorë të huaj, të cilët, sipas agjencisë, kanë krijuar një aparat propagandistik me një rrjet portalesh të integruara në hapësirën mediatike maqedonase.
Dyshime për disa vepra penale
Sipas njoftimit zyrtar, ndaj personit ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprat penale “Shkaktimi i urrejtjes, përçarjes dhe mostolerancës kombëtare, racore dhe fetare”, sipas nenit 319 të Kodit Penal, “Zbulimi i sekretit zyrtar”, sipas nenit 360, si dhe “Përhapja e materialit racist dhe ksenofobik përmes sistemit kompjuterik”, sipas nenit 394-g.
Në kuadër të veprimeve hetimore është kryer kontroll në banesën e tij, ku, sipas ANB-së, janë gjetur dhe sekuestruar sende që aktualisht janë duke iu nënshtruar ekspertizës së mëtejshme.
ANB-ja thekson se bëhet fjalë për dyshime hetimore, ndërsa sendet e sekuestruara janë ende objekt i ekspertizës.
ANB: Rrjeti përdor portale të klonuara
Në njoftim, Agjencia për Siguri Kombëtare pretendon se aktorët e rrjetit fshihen pas portaleve pseudo-mediale të klonuara, të regjistruara me domene interneti maqedonase.
Sipas ANB-së, përmes këtyre platformave publikohen lajme të rreme dhe dezinformata, si dhe riformatohen narrativat lidhur me ngjarjet aktuale.
Agjencia vlerëson se aktivitete të tilla synojnë të ndikojnë në diskursin publik, të dëmtojnë besimin në institucionet dhe të nxisin tensione etnike e kombëtare.
ANB i lidh aktivitetet me interesat ruse
Në njoftimin e saj, ANB-ja e përshkruan rrjetin si një strukturë propagandistike “në funksion të interesave ruse” dhe thotë se aktivitetet janë pjesë e përpjekjeve për të ndikuar në opinionin publik dhe për të penguar proceset strategjike eurointegruese të vendit.
Agjencia pretendon gjithashtu se rasti i 18 shtatorit është vazhdimësi e aktiviteteve të mëparshme hibride pro-ruse ndaj një shtetasi maqedonas, ndaj të cilit më herët ishte ngritur kallëzim penal për veprën sipas nenit 394-g të Kodit Penal.
ANB-ja njofton se, në kuadër të kompetencave të saj, do të vazhdojë aktivitetet për zbulimin dhe parandalimin e aktiviteteve subversive dhe propagandistike përmes rrjeteve të portaleve që, sipas saj, janë të ndërlidhura me struktura politike rajonale pro-ruse.
Burimi: Agjencia për Siguri Kombëtare (ASK) Gazeta Flaka
The post ASK-Maqedoni ngre alarmin: Është penguar aktiviteti i një rrjeti propagandistik në funksion të interesave ruse appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.