Astrit Iseni sqaron: Nga 29 aplikantë shqiptarë, u pranuan 13, përzgjedhja u bë sipas kritereve
Vetëm 3.5% e nxënësve që nga 1 shtatori do të fillojnë mësimin në Shkollën e Mesme Policore janë shqiptarë. Kështu tregojnë të dhënat e publikuara nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila e ka publikuar rang-listën përfundimtare ...
Vetëm 3.5% e nxënësve që nga 1 shtatori do të fillojnë mësimin në Shkollën e Mesme Policore janë shqiptarë. Kështu tregojnë të dhënat e publikuara nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila e ka publikuar rang-listën përfundimtare me emrat e nxënësve të pranuar në konkursin e 2 korrikut.
Në listë nuk kategorizohen kandidatët sipas përkatësisë etnike, megjithatë janë publikuar të dhëna për emrin, mbiemrin, emrin e prindit dhe komunës.
Duke u bazuar në emrat, identifikuam 11 shqiptarë të pranuar mes 310 kandidatëve. Edhe atë Jon Useini, Shkodran Jashari dhe Rijas Eshtrefi nga Kumanova, Florim Memeti dhe Besart Besimi nga Resnja, Jetish Memetaj nga Studenani, Arjeta Daut nga Manastiri, Rahim Hajdari nga Vrapçishti, Besart Osmani nga Petroveci dhe Medin Jusufi nga Krusheva. Duket se nuk ka të pranuar asnjë shqiptarë nga komunat më të mëdha me shumicë shqiptare siç është Tetova, Gostivari, Çairi, Struga, Dibra, Kërçova e të tjera.
Arsyetimi i zëvendësministrit të Brendshëm Astrit Iseni për përfaqësimin mjaft të ulë të shqiptarëve është se shqiptarët s’kanë pasur interesim. Megjithatë, nuk tregon të dhëna statistikore për kandidatët shqiptarë që kanë aplikuar, por që nuk janë pranuar.
“Interesimi i shqiptarëve për këtë konkurs nuk ka qenë afër pritshmërive tona. Edhe nga ata që kanë aplikuar, një numër nuk janë paraqitur në fazën e testimit, duke u tërhequr faktikisht nga gara. Prandaj, është e pandershme politikisht të thuhet se shqiptarët janë “përjashtuar”, pa treguar sa kanë aplikuar, sa kanë vazhduar procesin dhe sa kanë plotësuar kriteret e përcaktuara”, Astrit Iseni, Zëvendësministër i Brendshëm.
Megjithatë, BDI-ja opozitare e mban përgjegjës për dështim pikërisht Isenin. Sipas tyre, BDI VLEN po përjashton sistematikisht shqiptarët nga institucionet e rendit dhe sigurisë.
“Nuk kemi të bëjmë me një dështim të zakonshëm të një konkursi, por me mungesë të mekanizmave dhe të vullnetit për të garantuar përfaqësimin e tij të drejtë. “Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, duhet të japë dorëheqje sepse prania formale e tij në këtë pozitë nuk mund të shërbejë si alibi për përjashtimin e shqiptarëve nga institucionet që duhet t’i përfaqësojnë të gjithë qytetarët. Njëherit kërkojmë që në strukturat e policisë, rendit dhe sigurisë, të vendosen mekanizma të qartë dhe të matshëm për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, nga rekrutimi e deri te pozitat drejtuese”, Arta Bilalli Zendeli, Zëdhënëse e BDI-së.
Për rastin kanë reaguar edhe nga Aleanca për Shqiptarët të cilët akuzojnë për diskriminim flagrant. Partia e Arben Taravarit kërkon që VLEN-i të mos heshtë. Krahas partive politike, për përfaqësimin mjaftë të ulët, kanë reaguar edhe figura tjera publike e qytetarë nëpër rrjet sociale. /Alsat.mk
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.