“Ata kanë xhipa, ne kemi trotuare” – Qeveria Kurti hap tender 60 mijë euro për 10 vetura me qira
Vetëm pak kohë pasi u konstituuan institucionet e Kosovës, përfshirë edhe zgjedhjen e presidentit, Zyra e Kryeministrit ka hapur tender për marrjen me qira të 10 automjeteve, me vlerë të parashikuar prej 60 mijë eurosh. Zyra e Kryeministrit...


Vetëm pak kohë pasi u konstituuan institucionet e Kosovës, përfshirë edhe zgjedhjen e presidentit, Zyra e Kryeministrit ka hapur tender për marrjen me qira të 10 automjeteve, me vlerë të parashikuar prej 60 mijë eurosh.
Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka shpallur tender për marrjen me qira të automjeteve për nevojat e institucionit që udhëhiqet nga Albin Kurti.
Sipas njoftimit për kontratë, të publikuar më 13 tetor 2026, vlera e parashikuar e tenderit është 60 mijë euro, ndërsa kontrata publike kornizë parashihet të zgjasë 12 muaj. Në dokumentacion specifikohet se sasia e përgjithshme është 10 automjete, raporton ORAinfo.
Procedura është e hapur, ndërsa kriter për dhënien e kontratës është çmimi më i ulët. Afati i fundit për dorëzimin e ofertave është 4 nëntor 2026, në orën 14:00.
Shpallja e këtij tenderi vjen në kohën kur institucionet e reja të vendit janë konstituuar, përfshirë Kuvendin dhe Qeverinë, si dhe është zgjedhur presidenti i ri.
Kontrasti me qëndrimet e mëhershme të Kurtit
Marrja me qira e veturave nga institucionet publike rikthen në vëmendje qëndrimet e mëhershme të Albin Kurtit, i cili gjatë kohës sa ishte në opozitë kritikonte përdorimin e veturave zyrtare dhe shpenzimet e pushtetit për këto qëllime.
Në raportimet e mëhershme janë rikujtuar deklaratat e Kurtit kundër përdorimit të veturave luksoze nga zyrtarët shtetërorë. Në njërën prej tyre, ai citohej duke thënë: “Ata kanë xhipa, ne kemi trotuare”, duke kritikuar dallimin mes mënyrës së lëvizjes së politikanëve dhe gjendjes së qytetarëve.
Ndërkohë, gjatë qeverisjes së tij, institucionet publike kanë vazhduar të zhvillojnë procedura prokurimi për blerjen dhe marrjen me qira të automjeteve, siç dëshmojnë edhe raportimet e mëhershme për shpenzimet e institucioneve të Kosovës. /ORAinfo/
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.