Athina kërkon ndryshime në tekstet shkollore: kundërshton përdorimin e “Maqedonisë” dhe “Aleksandr Makedonski”
Zëvendësministrja greke e Punëve të Jashtme, Alexandra Papadopoulou, deklaroi se përdorimi i emrit “Maqedoni” në vend të emrit kushtetues “Maqedonia e Veriut”, si dhe disa formulime historike në tekstet shkollore, sipas Athinës, shkelin Mar...
Zëvendësministrja greke e Punëve të Jashtme, Alexandra Papadopoulou, deklaroi se përdorimi i emrit “Maqedoni” në vend të emrit kushtetues “Maqedonia e Veriut”, si dhe disa formulime historike në tekstet shkollore, sipas Athinës, shkelin Marrëveshjen e Prespës dhe Kushtetutën e vendit.
Papadopoulou tha në Parlamentin grek se Athina kërkon që nga tekstet shkollore në Maqedoninë e Veriut të hiqen formulimet që pala greke i konsideron revizioniste ose irredentiste.
Vëmendje e veçantë i kushtohet përdorimit të emrit zyrtar të shtetit dhe mënyrës se si paraqiten Maqedonia e lashtë, Aleksandri i Madh dhe Filipi II.
Debati u nxit nga pretendimet se në një tekst shkollor për klasën e gjashtë përdoren formulime si “Aleksandri Maqedonasi”, si dhe shprehje për një “atdhe të robëruar dhe të torturuar”.
Deputetë grekë kërkuan që qeveria të reagojë përmes Komisionit të Përbashkët Ndërdisiplinor të Ekspertëve, të krijuar në kuadër të Marrëveshjes së Prespës.
Papadopoulou theksoi se marrëveshja bën dallim ndërmjet trashëgimisë së Maqedonisë së lashtë, të cilën pala greke e lidh me qytetërimin e lashtë grek, dhe identitetit bashkëkohor maqedonas. Sipas saj, ky dallim duhet të respektohet edhe në materialet arsimore.
Sipas zëvendësministres greke, tekstet shkollore shqyrtohen nga komisioni i përbashkët i dy vendeve, i cili mblidhet të paktën dy herë në vit. Takimi i fundit është zhvilluar në Athinë në maj të këtij viti, ndërsa pala greke vazhdon të evidentojë pjesët për të cilat pretendon se nuk janë në përputhje me Marrëveshjen e Prespës.
Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.