ATK-ja me qasje të re: Hyseni: Më shumë këshillime, më pak ndëshkime për bizneset

Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Mentor Hyseni, ka thënë se ndëshkimet ndaj bizneseve janë ulur për rreth 7 deri në 8 për qind gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti. Hyseni për KosovaPress tha se ATK-ja ka promovuar qasje ...

tetor 11, 2026 - 12:00
ATK-ja me qasje të re: Hyseni: Më shumë këshillime, më pak ndëshkime për bizneset

Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Mentor Hyseni, ka thënë se ndëshkimet ndaj bizneseve janë ulur për rreth 7 deri në 8 për qind gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti.

Hyseni për KosovaPress tha se ATK-ja ka promovuar qasje me më shumë këshillime dhe më pak ndëshkime.

“Si qytetar, për shembull çështja e dënimit ndoshta më duket çështja më banale që njeriu duhet me pagu. Edhe unë kam paguar dënime të policisë. Më duket sikur është një sasi e mjeteve që njeriu e heq prej ekonomisë familjare ose prej xhepit edhe e paguan ose për neglizhencë ose për moskujdes. Kështu që edhe tek bizneset kisha dashur me thënë që sot profesionistë ka tregu mjaftueshëm, ATK-ja ofron shpjegime të mjaftueshme, kështu që le të bëjnë kujdes e mos të neglizhojnë se ndëshkimet më duket që janë çështja më banale që njerëzit e paguajnë. Sidoqoftë, në ATK në këtë gjashtëmujorin e parë, diku janë zvogëluar 7 deri në 8 për qind ndëshkimet kryesisht që i jepen bizneseve. Edhe pse krejt aktivitetet e tjera janë rritur, pra ndëshkimet janë zvogëluar diku për 8 për qind..Për shkak më shumë të qasjes së ATK-së që ne e kemi promovuar një qasje, e kemi thënë, më shumë këshillime e më pak ndëshkime”, deklaron Hyseni.

I pyetur për korrupsionin brenda ATK-së, Hyseni tha se institucioni nuk është imun ndaj rasteve të tilla. Megjithatë, ai theksoi se nuk mund të flitet për korrupsion të dëshmuar pa vendime përfundimtare të gjykatave.

Sipas tij, aktualisht janë rreth 5 zyrtarë të suspenduar për shkak të dyshimeve, hetimeve apo procedurave disiplinore.

“As ATK-ja sikur krejt institucionet në Kosovë nuk është imune. Ne me thënë që ka ose nuk ka korrupsion, është ndoshta gjykim jo i drejtë. Deri më tash ne i kemi të suspenduar diku nja pesë zyrtarë për çështje të dyshimeve, nuk mundemi me thënë që ka pasur korrupsion se hala nuk kemi vendime përfundimtare të gjykatave, po i kemi suspendu për çështje të fillimit, hetimeve ose procedurave disiplinore që kanë qenë për denoncime të ndryshme”, potencon Hyseni.

Sa i përket presionit politik mbi ATK-në, Hyseni tha se në “kuptimin e mirë të fjalës” presion janë targetet që caktohen nga Ministria e Financave.

Ai tha se ATK-ja në 5 vitet e fundit ka rritur mesatarisht të hyrat për 12 deri në 13 për qind nga viti në vit, ndërsa këtë vit rritja ka arritur në 14 për qind.

“Presion politik mendoj që në kuptimin e mirë të fjalës janë targetet që caktohen prej Ministrisë së Financave. Ne i kemi diku targetet vjetore diku 16 për qind krahasuar me vitin paraprak. Sidoqoftë në pesë vitet e fundit ATK-ja i ka rritur mesatarisht 12 deri në 13 për qind të hyrat prej vitit në vit. Në këtë vit kemi kaluar në 14 për qind, domethënë edhe pesë vitet e kaluara i kemi lënë mbrapa sa i përket rritjes së të hyrave tatimore”, vlerëson Hyseni.

Në kuadër të luftimit të ekonomisë joformale, Hyseni tha se ATK-ja është fokusuar në zgjerimin e bazës tatimore dhe identifikimin e bizneseve që nuk janë të regjistruara.

Ai përmendi projektin e stikerave, përmes të cilit ATK-ja ka bërë evidentimin e bizneseve të regjistruara, ndërsa faza e dytë synon identifikimin e atyre që nuk figurojnë në sistem.

“Luftimi i informalitetit është një prej sfidave që ATK-ja e ka edhe krejt institucionet mbledhëse. Mirëpo qasja jonë është më shumë të zgjerojmë bazën tatimore, të rrisim njerëzit që kontribuojnë në të hyrat tatimore sesa të orientohemi kryesisht te bizneset të cilat tashmë janë të regjistruara. Lidhur me këtë e kemi pasur projektin e stikersave ne që i kemi quajt, që jemi kujdes gjatë gjashtëmujorit të parë me i regjistruar të gjitha bizneset. Nëse e përkthejmë në konceptin ekonomik është sikur një inventarizim kur bëhet. Domethënë kemi filluar, të gjitha bizneset që i kemi në sistem i kemi vendosur stikers. Tash mbasi u kemi vendosur stikers të gjitha bizneseve, faza e dytë është me identifiku ato që tashmë nuk janë të regjistruara. Vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit që jemi, diku janë 5 mijë e 700 biznese më shumë të regjistruara në krahasim me vitin paraprak. Edhe diku 17 mijë punëtorë që janë regjistruar më shumë. Po duket që kjo iniciativë e ka dhënë efektin fillestar, mendojmë që ka me pasur efekt hala më shumë”, thotë Hyseni.

Hyseni ka thënë se ATK-ja nuk është imune ndaj dyshimeve për korrupsion, ndërsa aktualisht janë rreth 5 zyrtarë të suspenduar.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.