Avdi Hoti pranon mungesën e uniformave në Policinë e Kosovës: Tenderët kanë dështuar që nga viti 2021
Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Avdi Hoti, ka folur lidhur me raportimet në media se kadetët e rinj të Policisë po detyrohen t’i huazojnë kapelat dhe uniformat nga kolegët, për shkak të mungesës së tyre. I pyetur nga RTV21 për...


Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Avdi Hoti, ka folur lidhur me raportimet në media se kadetët e rinj të Policisë po detyrohen t’i huazojnë kapelat dhe uniformat nga kolegët, për shkak të mungesës së tyre.
I pyetur nga RTV21 për këtë çështje, Hoti ka thënë se nuk ka njohuri për ndonjë problem të tillë, ndërsa ka pranuar se mungesa e uniformave në Policinë e Kosovës është problem i ngritur nga sindikata.
“Sa i përket uniformave, ne si sindikatë e kemi ngritur këtë problem. Që nga viti 2021, Policia e Kosovës nuk është pajisur me uniformë të rregullt për arsye të tenderëve, kanë dështuar tenderët. Ndërsa njësitë e tjera speciale kanë pasur uniforma të bollshme”, ka thënë Hoti.
Ndërkaq, lidhur me kadetët, ai ka sqaruar se pushimi njëjavor pas përfundimit të trajnimit është praktikë e rregullt për çdo gjeneratë.
“Kadetët e kanë përfunduar javën e kaluar, të premten, ndërsa praktikë e çdo gjenerate në Policinë e Kosovës është që pas përfundimit të diplomimit të kenë një javë pushim. Edhe këtë javë e kanë pasur pushim, besoj me datë 6, siç kam dëgjuar, do të bëhet ceremonia e diplomimit të tyre. Kjo javë pushim ka qenë e rregullt. Nuk kam njohuri që ka pasur ndonjë problem tjetër përpos kësaj”, ka deklaruar Hoti.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.