Bajrami: Vendimi i Gjykatës Speciale, “traumë kombëtare”

Profesori universitar Arsim Bajrami e cilësoi vendimin e fundit të Gjykatës Speciale në Hagë si një “tronditje kombëtare”, duke thënë se ai ka shkaktuar traumë te qytetarët e Kosovës pas dhjetë vitesh pritje që nga themelimi i kësaj gjykate...

shtator 26, 2026 - 19:30
Bajrami: Vendimi i Gjykatës Speciale, “traumë kombëtare”
arsim-bajrami-vihet-ne-dispozicion-per-president,-u-shkruan-leter-kater-lidereve-partiake

arsim-bajrami-vihet-ne-dispozicion-per-president,-u-shkruan-leter-kater-lidereve-partiake

Profesori universitar Arsim Bajrami e cilësoi vendimin e fundit të Gjykatës Speciale në Hagë si një “tronditje kombëtare”, duke thënë se ai ka shkaktuar traumë te qytetarët e Kosovës pas dhjetë vitesh pritje që nga themelimi i kësaj gjykate.

Duke folur në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, Bajrami tha se me këtë vendim është keqpërdorur besimi i popullit dhe i Kuvendit të Kosovës, i cili mori vendimin e vështirë për ta krijuar këtë institucion një hap që, sipas tij, “nuk do ta merrte një shtet normal”.

Bajrami kritikoi veçanërisht fjalimin hyrës të kryetarit të trupit gjykues, të cilin e cilësoi si “krejtësisht politik”.

Sipas tij, ai fjalim ndërtoi një kontekst historik të padrejtë, që mund t’i linte përshtypjen një qytetari evropian të painformuar se shqiptarët kishin ushtruar agresion ndaj Serbisë.

Tutje, ai theksoi se në asnjë moment nuk u përmend konteksti se Ushtria Çlirimtare e Kosovës u formua dhe funksionoi si organizatë çlirimtare, në përgjigje të agresionit dhe gjenocidit të ushtruar nga Serbia.

“Po, kjo është një tronditje kombëtare. Ky vendim ka shkaktuar një traumë kombëtare me të drejtë sepse askush nuk ka pritur që pas shumë pritjeve, 10 vite pritje prej kur u formua, të keqpërdoret besimi i popullit të Kosovës, besimi i Kuvendit të Kosovës, i cili mori një vendim shumë të rëndë për të formuar këtë gjykatë, që nuk do ta merrte një shtet normal. Dhe në vend që ne të kishim një proces të rregullt gjyqësor, pra të kemi një drejtësi evropiane, që komplet Bashkimi Evropian bazohet në parimin e sundimit të ligjit, ne kemi një vendim skandaloz i cili tenton të… është më tepër vendim politik, nuk është një vendim i rregullt, proces gjyqësor, po tenton të komprometojë komplet procesin e shtetndërtimit të Kosovës. Vetë ekspozeja e kryetarit të trupit gjykues atë ditë ajo ishte krejtësisht politike dhe ai e ndërtoi një kontekst krejt të padrejtë historik, nga i cili një qytetar evropian i painformuar do të mund të kuptonte se shqiptarët paskan bërë një agresion ndaj Serbisë, paskan bërë një luftë ndaj Serbisë, sepse ju e patë, në asnjë fjalë nuk e përmendi kontekstin se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është formuar dhe ka funksionuar si një organizatë çlirimtare për t’u mbrojtur nga agresioni dhe gjenocidi i Serbisë”, tha Bajrami.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.