Bashkimi Evropian: Deklaratat e Serbisë për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit nuk ndihmojnë normalizimin

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se deklaratat e zyrtarëve serbë për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër nuk kontribuojnë në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Anita Hi...

gusht 11, 2026 - 15:30
Bashkimi Evropian: Deklaratat e Serbisë për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit nuk ndihmojnë normalizimin

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se deklaratat e zyrtarëve serbë për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër nuk kontribuojnë në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Anita Hipper, tha më 11 gusht në një konferencë për media se çështjet e hapura ndërmjet dy palëve mund të zgjidhen vetëm përmes dialogut.

“Gjithashtu rikujtojmë se përparimi në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është parakusht që të dyja palët të avancojnë në rrugën e tyre evropiane”, tha Hipper.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 9 gusht se autoritetet serbe po shqyrtojnë me ekspertë mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit, duke e lidhur këtë me rrënimin e shtëpive dhe vilave të serbëve pranë Liqenit të Ujmanit, në veri të Kosovës.

Deklarata e tij nxiti reagime të ashpra nga zyrtarët në Kosovë dhe u pasua edhe nga një përplasje publike ndërmjet zyrtarëve të Shqipërisë dhe Serbisë.

Lumi Ibër, rreth 270 kilometra i gjatë, buron në Mal të Zi, kalon nëpër Serbi dhe më pas hyn në Kosovë, ku furnizon liqenin artificial të Ujmanit.

Rreth dy të tretat e këtij liqeni ndodhen në territorin e Kosovës.

Uji nga sistemi i Ujmanit dhe Ibër-Lepencit furnizon shtatë komuna, përdoret për ujitje dhe për ftohjen e termocentraleve në Obiliq, të cilat prodhojnë pjesën më të madhe të energjisë elektrike në Kosovë.

Serbia është nënshkruese e Konventës së Kombeve të Bashkuara të vitit 1997 për përdorimin e rrjedhave ujore ndërkombëtare për qëllime të tjera përveç lundrimit.

Kjo konventë përcakton, mes të tjerash, parimin e shfrytëzimit të drejtë dhe të arsyeshëm të ujërave ndërkufitare, si dhe detyrimin për të mos u shkaktuar dëme të konsiderueshme shteteve të tjera.

Kosova nuk është palë në këtë konventë, pasi nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara./REL


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.