BDI: Asnjë seancë e Qeverisë nuk është kryesuar nga zëvendëskryeministri i parë shqiptar
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar lidhur me rolin e zëvendëskryeministrave të parë shqiptarë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, duke pretenduar se që nga qershori i vitit 2024, asnjëri prej tyre nuk ka kryesuar asnjë seancë...
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar lidhur me rolin e zëvendëskryeministrave të parë shqiptarë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, duke pretenduar se që nga qershori i vitit 2024, asnjëri prej tyre nuk ka kryesuar asnjë seancë të Qeverisë.
Sipas BDI-së, Izet Mexhiti, Bekim Sali dhe Arben Fetai kanë nga zero seanca të kryesuara, duke e përmbledhur situatën me shifrën: 0 seanca.
“Kjo e tregon më qartë se çdo deklaratë propagandistike se çfarë peshe reale kanë shqiptarët brenda kësaj Qeverie”, thuhet në komunikatën e BDI-së.
BDI vlerëson se funksioni i zëvendëskryeministrit të parë shqiptar është reduktuar në një rol dekorativ dhe ngre pikëpyetje mbi kompetencat reale të këtij posti.
“Pozita mund të quhet ‘zëvendëskryeministër i parë’, mund të ketë zyrë, kabinet, veturë dhe protokoll, por nëse për më shumë se dy vjet nuk të besohet drejtimi as i një seance të vetme të Qeverisë, atëherë është legjitime të pyetet: çfarë është ‘i parë’ në këtë funksion?”, deklaron BDI.
Sipas partisë opozitare, në qeveritë e kaluara zëvendëskryeministrat kishin rol më të drejtpërdrejtë në bashkëqeverisje dhe vendimmarrje, ndërsa sot ky funksion, sipas tyre, është “reduktuar në dekor”.
BDI e përmbyll reagimin duke theksuar: “Jo sa poste kanë marrë, por sa vendimmarrje kanë në dorë. Shifra është e pamëshirshme: 0 seanca të kryesuara me 0 vendimmarrje.” Gazeta Flaka
The post BDI: Asnjë seancë e Qeverisë nuk është kryesuar nga zëvendëskryeministri i parë shqiptar appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.