Demokratët përgatiten të frenojnë Inteligjencën Artificiale: Çfarë pritet të ndryshojë në Kongresin amerikan

Partia Demokrate në SHBA po përgatitet të ndërmarrë një sërë nismash ligjore për të vendosur rregulla më të rreptë mbi inteligjencën artificiale dhe zhvillimin e qendrave të të dhënave, sapo të marrë kontrollin e Kongresit amerikan në janar...

Nëntor 7, 2026 - 11:00
Demokratët përgatiten të frenojnë Inteligjencën Artificiale: Çfarë pritet të ndryshojë në Kongresin amerikan

Partia Demokrate në SHBA po përgatitet të ndërmarrë një sërë nismash ligjore për të vendosur rregulla më të rreptë mbi inteligjencën artificiale dhe zhvillimin e qendrave të të dhënave, sapo të marrë kontrollin e Kongresit amerikan në janar.

Sipas ligjvënësve dhe këshilltarëve të Kongresit, synimi kryesor është rritja e mbrojtjes për konsumatorët dhe kontrolli i rreziqeve që sjell përdorimi i kësaj teknologjie. Kjo iniciativë shënon një kthesë nga politika e republikanëve, të cilët janë përqendruar te nxitja e zhvillimit të inteligjencës artificiale pa vendosur kufizime ligjore. Ndërkohë, shqetësimet publike janë rritur për shkak të konsumit të lartë të energjisë nga qendrat e të dhënave dhe ndikimit në faturat e energjisë elektrike.

Demokratët synojnë të propozojnë ligje që pengojnë kompanitë t’ua kalojnë konsumatorëve kostot shtesë të energjisë, si dhe kërkojnë që sistemet më të avancuara t’i nënshtrohen testimeve të pavarura. Senatori Chuck Schumer deklaroi se mbrojtja e konsumatorëve nga rritja e kostove të energjisë do të jetë prioritet, ndërsa kongresmeni Greg Casar kërkoi që drejtuesit e kompanive teknologjike të dëshmojnë nën betim. Po ashtu, senatorët e sapozgjedhur si Abdul El-Sayed kanë propozuar krijimin e një agjencie të pavarur mbikëqyrëse.

Megjithatë, miratimi i këtyre nismave pritet të përballet me kundërshtimin e Presidentit Donald Trump, i cili ka refuzuar vendosjen e rregullave detyruese. Pavarësisht kësaj, kontrolli i komisioneve do t’u japë demokratëve mundësinë të thërrasin në seanca dëgjimore drejtuesit e gjigandëve teknologjikë si OpenAI, Anthropic, Meta, Google dhe SpaceX. Shqetësimet mbi rregullimet e mundshme ligjore kanë ndikuar menjëherë edhe në tregjet financiare, ku aksionet e kompanive të teknologjisë pësuan rënie të dukshme në bursat amerikane, evropiane dhe aziatike.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.