BDI fitoi një garë lokale, jo betejën politike me VLEN-in!
shkruan: Latif Arifi Screenshot Rezultati i 18 tetorit duhet analizuar me maturi, larg triumfalizmit politik. Këto zgjedhje nuk dëshmojnë se BDI e ka mundur VLEN-in, sepse gara ishte për kryetar komune dhe jo për këshillin komunal, ku fuqia...
shkruan: Latif Arifi 
Rezultati i 18 tetorit duhet analizuar me maturi, larg triumfalizmit politik. Këto zgjedhje nuk dëshmojnë se BDI e ka mundur VLEN-in, sepse gara ishte për kryetar komune dhe jo për këshillin komunal, ku fuqia partiake do të mund të matej më drejtpërdrejt.
Në Gurgurnicë, Miletinë dhe Radiovcë, mbështetja për dy kandidatët shqiptarë ishte thuajse e barabartë. Ndërsa në Çellopek, vendbanimin e Arkin Jahiut, dhe në Tenovë, vendbanimin e Jakup Huseinit, të dy kandidatët kishin epërsi të theksuar në vendbanimet e tyre. Kjo tregon se vota lokale dhe mbështetja për kandidatin kanë pasur peshë të madhe, jo vetëm përkatësia partiake. Aq më tepër kur Çellopeku ka peshë të konsiderueshme elektorale në raport me vendbanimet e tjera shqiptare.
Edhe rritja e votave të AKI-së, përballë rënies së VLEN-it dhe VMRO-DPMNE-së krahasuar me raundin e parë të vitit 2025, duhet analizuar seriozisht. Por këto shifra, të vetme, nuk mjaftojnë për të shpallur fituesin e përgjithshëm politik.
Rasti i Arkin Jahiut është veçanërisht interesant. Ai kishte garuar edhe në vitin 2021, kur, sipas rezultateve të asaj gare, ishte renditur i treti. Rezultati i tanishëm dëshmon një mbështetje të rëndësishme për kandidatin, por jo domosdoshmërisht një fitore të BDI-së ndaj VLEN-it në nivel të përgjithshëm.
BDI mund ta vlerësojë suksesin e kandidatit të saj, por nuk duhet të harrojë kontekstin e zgjedhjeve paraprake, kur kishte dalë dukshëm pas VLEN-it. Një garë lokale nuk mjafton për të shpallur ndryshimin përfundimtar të raportit të forcave shqiptare.
Një meritë e veçantë i takon Jakup Huseinit, i cili shkoi në shtabin e Arkin Jahiut për ta uruar pas rezultatit. Ky është shembull i qytetarisë dhe kulturës demokratike. Për dallim nga rastet e mëparshme dhe skenave ku në shtabin e VLEN-it u hoqën simbolet e kësaj partie kësaj radhe u dëshmua se rivaliteti politik nuk duhet të luajë me ndjenjat e qytetarëve dhe se kundërshtari politik nuk është armik.
Prandaj, çdo përpjekje për ta shndërruar këtë rezultat në një triumf të përgjithshëm të BDI-së ndaj VLEN-it duhet parë me rezerva. Edhe spekulimet për mbështetjen e ardhshme politike të Arkin Jahiut nuk kanë nevojë për përgjigje të reja. Jakup Huseini e dha përgjigjen më të mirë me gjestin e tij në shtabin e kundërshtarit.
Mësimi i këtyre zgjedhjeve duhet të jetë i qartë. VLEN duhet t’i analizojë mangësitë dhe humbjen e votave, ndërsa BDI duhet të tregojë se një rezultat lokal mund ta shndërrojë në mbështetje të qëndrueshme politike.
Të dy kandidatët ishin kandidatë dinjitozë dhe të dy fituan mbështetje të konsiderueshme në vendbanimet e tyre. Tani është koha për maturi, dhe përgjegjësi politike, jo për një konflikt të ri politik.
Suksese dhe shëndet, me një proces të qetë e demokratik në raundin e dytë, më 1 nëntor!
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.