BDI kërkon përgjigje për rastin në MEPSO: Katër muaj heshtje për 19,3 milionë euro

Kanë kaluar pothuajse katër muaj që kur Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ngriti publikisht shqetësimet për rastin në MEPSO dhe kërkoi përgjegjësi nga drejtori Burim Latifi. Sipas BDI-së, edhe pas katër muajsh qytetarët ende nuk kanë m...

gusht 24, 2026 - 09:30
BDI kërkon përgjigje për rastin në MEPSO: Katër muaj heshtje për 19,3 milionë euro

Kanë kaluar pothuajse katër muaj që kur Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ngriti publikisht shqetësimet për rastin në MEPSO dhe kërkoi përgjegjësi nga drejtori Burim Latifi. Sipas BDI-së, edhe pas katër muajsh qytetarët ende nuk kanë marrë përgjigje të plota për vendimet që e kanë futur ndërmarrjen strategjike shtetërore në një kontest ndërkombëtar me pasoja potencialisht milionëshe.

Sipas të dhënave të bëra publike, në procedurën paraarbitrale para DAB-it, MEPSO nuk arriti t’i mbrojë pretendimet e saj në vlerë prej rreth 19,3 milionë eurosh, ndërsa vendimi ishte në favor të kompanisë paraprake “Energoinvest”. Çështja tashmë pritet të vazhdojë në arbitrazh, ku MEPSO duhet të mbrojë pozicionin e saj pas rezultatit të pafavorshëm në fazën paraarbitrale.

BDI ngre pyetje edhe për kontratën e re milionëshe të MEPSO-s me konsorciumin e udhëhequr nga “Dalekovod”, ku marrin pjesë edhe “Kodar Energomontaža” nga Beogradi dhe “Elnos BL” nga Banja Luka.

“Pse VLEN-i po lejon që edhe një segment strategjik i sektorit energjetik të lidhet me kompani nga Serbia dhe Republika Srpska, ndërkohë që qytetarët përballen me pasojat financiare të vendimeve të drejtuesve të tyre?”, pyet BDI.

Partia kërkon të dihet kush ka marrë vendimin për ndërprerjen e kontratës paraprake, kush e ka vlerësuar rrezikun juridik dhe financiar dhe kush do të mbajë përgjegjësi në rast se shteti pëson dëme të tjera në procedurën e arbitrazhit.

BDI i drejtohet edhe Prokurorisë Publike dhe Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, duke kërkuar përgjigje nëse është hapur ndonjë lëndë dhe cilat veprime janë ndërmarrë lidhur me rastin.

“Katër muaj më parë kërkuam publikisht që institucionet kompetente ta hetojnë rastin. Opinioni ka të drejtë të dijë: a është hapur lëndë, cilat veprime janë ndërmarrë dhe a po hetohen kontratat, vendimet dhe përgjegjësia eventuale për dëmin financiar?”, thekson BDI.

BDI kërkon transparencë të plotë, përgjegjësi institucionale dhe përgjigje konkrete për vendimet e marra në MEPSO, duke theksuar se çështja e 19,3 milionë eurove dhe kontratës së re milionëshe nuk duhet të kalojë në heshtje. Gazeta Flaka

The post BDI kërkon përgjigje për rastin në MEPSO: Katër muaj heshtje për 19,3 milionë euro appeared first on Flaka, në çdo lajm... .


Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.