BDI: Me dy vjet vonesë dhe 30 milionë euro më shtrenjtë, VLEN vazhdon projektin Shkup–Bllacë

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj vazhdimit të projektit për autostradën Shkup–Bllacë, duke akuzuar koalicionin VLEN se e ka vonuar projektin për dy vite dhe se tani po e realizon me një kosto rreth 30 milionë euro më t...

gusht 26, 2026 - 19:00
BDI: Me dy vjet vonesë dhe 30 milionë euro më shtrenjtë, VLEN vazhdon projektin Shkup–Bllacë

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj vazhdimit të projektit për autostradën Shkup–Bllacë, duke akuzuar koalicionin VLEN se e ka vonuar projektin për dy vite dhe se tani po e realizon me një kosto rreth 30 milionë euro më të lartë.

Sipas BDI-së, projekti për autostradën, me gjatësi rreth 10 kilometra, ishte përfunduar më 2 maj 2023 dhe ishte tenderuar po atë vit nga qeveria e kaluar, me vlerë rreth 183 milionë euro.

“Pas dy vitesh humbje kohe, VLEN sot po e paraqet si sukses vazhdimin e autostradës Shkup–Bllacë, projekt i përfunduar më 2 maj 2023 dhe i tenderuar po atë vit nga qeveria e kaluar, me një vlerë prej rreth 183 milionë eurosh”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Partia opozitare pretendon se, pavarësisht kritikave të mëparshme të VLEN-it dhe partnerëve të saj politikë, projekti nuk ka ndryshuar.

“Dy vjet më parë, VLEN dhe partnerët e tyre politikë e sulmonin projektin si ‘tepër të shtrenjtë’ dhe ‘të papërshtatshëm’. Sot, pa ndryshuar as trasenë dhe as projektin, duke e vonuar pa asnjë nevojë për mbi dy vite, të njëjtën autostradë prej rreth 10 kilometrash do ta ndërtojnë për rreth 210 milionë euro”, deklaron BDI.

Sipas kësaj partie, kostoja e re arrin në rreth 21 milionë euro për kilometër.

“Projekti që e kritikuan nuk është ndryshuar as për 0,1 për qind. Traseja është e njëjtë, projekti është i njëjtë, autostrada është e njëjtë. Të vetmet gjëra që kanë ndryshuar janë dy vite vonesë dhe rreth 30 milionë euro më shumë nga paratë e qytetarëve”, thekson BDI.

BDI kërkon nga VLEN-i të japë sqarime për arsyet e vonesës dhe rritjes së kostos.

“Pse u bllokua për dy vjet një projekt i gatshëm dhe pse sot i njëjti projekt kushton rreth 30 milionë euro më shumë? Ku përfundojnë këto para dhe cili është arsyetimi për këtë shtrenjtim?”, pyet BDI.

Në përfundim, partia opozitare e cilëson këtë si shembull të keqmenaxhimit të pushtetit aktual.

“Shqiptarët humbën dy vite për një autostradë jetike, ndërsa qytetarët do të paguajnë dhjetëra milionë euro më shumë. Dy vite vonesë, 30 milionë euro më shtrenjtë dhe asnjë ndryshim në projekt, kjo është fatura e paaftësisë dhe keqmenaxhimit të VLEN-it”, përfundon reagimi i BDI-së.

The post BDI: Me dy vjet vonesë dhe 30 milionë euro më shtrenjtë, VLEN vazhdon projektin Shkup–Bllacë appeared first on Flaka, në çdo lajm... .


Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.