BDI: Ministrja Janevska sulmon Badenterin dhe Marrëveshjen e Ohrit
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj deklaratës së ministres së Arsimit, Vesna Janevska, duke e vlerësuar atë si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj njërit prej shtyllave themelore të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Nga BDI tho...
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj deklaratës së ministres së Arsimit, Vesna Janevska, duke e vlerësuar atë si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj njërit prej shtyllave themelore të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.
Nga BDI thonë se Janevska e ka cilësuar mekanizmin e Badenterit si një “mjet” dhe ka kërkuar që ai të mos zbatohet në rastet kur, sipas saj dhe Qeverisë, nuk është i nevojshëm.
Sipas BDI-së, Kushtetuta nuk i jep askujt të drejtën të vendosë në mënyrë selektive për zbatimin e Badenterit. BDI thekson se Amendamenti X kërkon shumicë të dyfishtë për ligjet që prekin arsimin dhe se zbatimi i këtij mekanizmi nuk mund të varet nga vlerësimet personale të një ministri.
BDI shpreh shqetësim edhe për, siç thuhet, përdorimin e termit “bashkësi e vogël” për shqiptarët, duke theksuar se shqiptarët janë popull shtetformues dhe pjesë thelbësore e rendit kushtetues të dalë nga Marrëveshja e Ohrit.
“Badenteri është garanci kushtetuese që shumica numerike të mos vendosë e vetme për gjuhën, arsimin dhe identitetin e shqiptarëve. Kërkesa për zbatim selektiv nënkupton zhvlerësimin e plotë të tij”, thuhet në reagimin e BDI-së.
BDI vlerëson se kjo situatë është pasojë e, siç pretendohet, mungesës së legjitimitetit dhe paaftësisë së përfaqësuesve shqiptarë në Qeveri, duke shtuar se heshtja e tyre po mundëson deklarata që, sipas BDI-së, fyejnë dhe nënçmojnë shqiptarët.
BDI kërkon që ministrja Janevska të kërkojë falje publike dhe të tërheqë deklaratën e saj, ndërsa thekson se ligjet në fushën e arsimit duhet të miratohen në përputhje me Kushtetutën dhe me mekanizmin e Badenterit. përcjell Zhurnal.mk .
Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.