BDI miraton katër rezoluta kyçe për shtetin, drejtësinë, zhvillimin dhe integrimin evropian
BDI riafirmon kursin evropian dhe rolin udhëheqës në integrimin në BE Kongresi i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) ka miratuar Rezolutën për integrimin evropian, duke riafirmuar angazhimin e palëkundur të The post BDI miraton katër rezoluta kyçe për shtetin, drejtësinë, zhvillimin dhe integrimin evropian appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
dhjetor 21, 2025 - 14:00
0
Lexime: _ _ 98106
BDI riafirmon kursin evropian dhe rolin udhëheqës në integrimin në BE
Kongresi i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) ka miratuar Rezolutën për integrimin evropian, duke riafirmuar angazhimin e palëkundur të partisë për ndërtimin e një shteti modern, demokratik dhe funksional, të bazuar në vlera evropiane dhe standarde të larta të qeverisjes.
Në rezolutë theksohet se integrimi evropian është zgjedhje strategjike dhe rrugë e pakthyeshme për Republikën e Maqedonisë së Veriut, si mjet për forcimin e demokracisë, stabilitetit, kohezionit shoqëror dhe karakterit multietnik të shtetit. BDI vlerëson se reformat nuk bëhen për institucionet ndërkombëtare, por për qytetarët, me qëllim ndërtimin e institucioneve më të forta dhe më të besueshme, një ekonomi konkurruese, drejtësi të pavarur dhe standard më të lartë jetese për çdo familje.
Dokumenti nënvizon se integrimi në Bashkimin Evropian garanton paqen afatgjatë, marrëdhënie të mira fqinjësore dhe rol aktiv të vendit në arkitekturën evropiane të sigurisë dhe zhvillimit, duke përforcuar kredibilitetin ndërkombëtar të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Kongresi i BDI-së vlerëson se integrimi evropian:
konsolidon demokracinë dhe forcon kohezionin shoqëror, duke mbrojtur karakterin multietnik të shtetit si vlerë dhe jo si pengesë;
është proces i stabilitetit dhe sigurisë, që krijon kushte më të favorshme për zhvillim ekonomik dhe investime;
ka pasur dhe vazhdon të ketë BDI-në si garant të kursit evropian të vendit, të udhëhequr nga përgjegjësia, maturia politike dhe vizioni strategjik;
mbështetet nga BDI përmes dialogut politik, konsensusit shoqëror dhe zbatimit të reformave evropiane, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare;
nuk është alternativë, por rruga e vetme drejt një të ardhmeje më të sigurt, më të drejtë dhe më të begatë.
Rezoluta riafirmon se rruga e integrimit evropian është e pakthyeshme, përbën përgjegjësi historike dhe është e ardhmja që duhet ndërtuar së bashku nga të gjithë qytetarët.
Në të njëjtën kohë, Kongresi thekson se BDI respekton dhe mbështet identitetin kombëtar maqedonas në procesin e integrimit evropian, duke vlerësuar se vetëm një shtet i konsoliduar dhe i integruar në Bashkimin Evropian mund të ruajë dhe kultivojë identitetet kombëtare të të gjithë popujve që jetojnë në vend.
Sipas BDI-së, kjo rezolutë përcakton qartë angazhimin politik të partisë për të mbetur forca udhëheqëse e integrimit evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe për zbatimin e reformave që e bëjnë shtetin më funksional, më të drejtë dhe më të fortë për të gjithë qytetarët e tij. Gazeta Flaka
BDI miraton Rezolutë për Marrëveshjen Kombëtare: Zhvillim ekonomik, drejtësi sociale dhe cilësi jete
Kongresi i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) ka miratuar Rezolutën për Marrëveshjen Kombëtare për Përparim dhe Zhvillim të Qëndrueshëm të Vendit, duke e cilësuar atë si kapitullin e ri politik dhe shoqëror të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në të cilin stabiliteti dhe paqja duhet të shndërrohen në progres konkret dhe cilësi më të mirë jete për qytetarët.
Në rezolutë theksohet se rrugëtimi i shtetit është ndërtuar mbi momente kyçe të guximit politik dhe përgjegjësisë shtetërore, si Marrëveshja e Ohrit, Marrëveshja e Prespës dhe Marrëveshja për fqinjësi të mirë, të cilat siguruan paqen, stabilitetin dhe bashkëjetesën ndëretnike. Sipas Kongresit, këto arritje historike u ndërtuan mbi urtësi, sakrificë dhe bindjen se paqja është themeli i çdo zhvillimi.
BDI vlerëson se vendi sot ndodhet përballë një kapitulli të ri historik, ku paqja dhe stabiliteti, ndonëse të domosdoshme, nuk janë më të mjaftueshme për të përmbushur pritjet e qytetarëve. Rezoluta thekson se qytetarët kërkojnë më shumë mundësi, më shumë drejtësi dhe cilësi më të lartë jete, ndërsa brezat e rinj meritojnë perspektivë reale për përparim në vendin e tyre.
Në këtë kontekst, Kongresi bën thirrje për një Marrëveshje të re shoqërore dhe politike – Marrëveshjen Kombëtare për Përparim, e cila nuk synon më mbijetesën, por zhvillimin dhe përparimin afatgjatë të vendit. Sipas BDI-së, përparimi i vërtetë nuk matet vetëm me tregues ekonomikë, por me cilësinë e jetës, drejtësinë sociale dhe mundësitë reale që krijohen për të gjithë qytetarët.
Rezoluta vendos në qendër ndërtimin e një ekonomie konkurruese dhe moderne, të udhëhequr nga sektori privat dhe inovacioni. BDI thekson nevojën për konkurrencë të ndershme, luftë kundër monopoleve, oligarkisë dhe ekonomisë joformale, si dhe për një sistem tatimor të drejtë, efikas dhe të barabartë. Mbështetja për biznesin, sipas dokumentit, duhet të jetë transparente, e bazuar në performancë dhe në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, me qëllim nxitjen e investimeve, punësimit dhe integrimit në zinxhirët evropianë të vlerës.
Kongresi vlerëson se transformimi digjital është katalizator kyç i zhvillimit modern. Digjitalizimi i administratës dhe i ekonomisë, përdorimi strategjik i teknologjive të avancuara dhe Inteligjencës Artificiale, sipas rezolutës, rrisin produktivitetin, përmirësojnë shërbimet publike dhe krijojnë vende pune me vlerë të lartë për të rinjtë.
Në të njëjtën kohë, theksohet se nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm pa stabilitet makroekonomik dhe financa publike të shëndosha. Rezoluta nënvizon rëndësinë e disiplinës fiskale, transparencës dhe llogaridhënies, mbrojtjes së investimeve kapitale dhe menaxhimit modern të financave publike. Digjitalizimi i buxhetit dhe kontrolli i shpenzimeve vlerësohen si garanci për besueshmëri institucionale.
Një vëmendje e veçantë i kushtohet administratës tatimore moderne, me digjitalizim të plotë të proceseve, rimbursim në kohë të TVSH-së, sistem elektronik pagesash dhe luftë të vendosur kundër ekonomisë joformale, si mënyrë për të forcuar konkurrencën e ndershme dhe për të rritur bazën tatimore pa rritur barrën mbi qytetarët.
Rezoluta thekson se zhvillimi ekonomik duhet të jetë i gjelbër dhe i qëndrueshëm, duke u bazuar në mjedis të pastër, energji të sigurt dhe të përballueshme dhe përdorim racional të burimeve natyrore. Investimet në energji të ripërtëritshme, efikasitet energjetik dhe bujqësi moderne cilësohen si investime strategjike për sigurinë dhe pavarësinë afatgjatë të vendit.
Po ashtu, infrastruktura moderne vlerësohet si kusht për zhvillim të barabartë rajonal. BDI thekson se pozicioni strategjik i vendit në korridoret panevropiane 8 dhe 10 duhet të shndërrohet në avantazh real ekonomik përmes investimeve në transport, logjistikë, lidhshmëri digjitale dhe infrastrukturë komunale. Në këtë kuadër, turizmi i qëndrueshëm dhe përfaqësues vlerësohet si motor i zhvillimit lokal.
Në qendër të kësaj Marrëveshjeje Kombëtare për Përparim, sipas rezolutës, qëndron njeriu dhe kapitali njerëzor. Arsimi cilësor i lidhur me tregun e punës, shëndetësia moderne dhe gjithëpërfshirëse, si dhe siguria sociale e qëndrueshme, konsiderohen baza e një shoqërie të fortë dhe kohezive.
Kongresi thekson se rinia e fuqizuar dhe e përfshirë është garancia e së ardhmes. Politikat publike duhet t’u krijojnë të rinjve perspektivë brenda vendit, përmes arsimit, inovacionit, sipërmarrjes, sportit dhe kulturës, duke frenuar emigrimin dhe duke nxitur rikthimin e profesionistëve dhe përfshirjen e diasporës si partnere zhvillimi.
Sipas BDI-së, kjo rezolutë përfaqëson një zotim moral dhe politik ndaj brezave të ardhshëm, duke synuar ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse, të bazuar në barazi, respekt dhe solidaritet. “Ne dimë të ndërtojmë paqe. Tani duhet të dëshmojmë se dimë të ndërtojmë edhe përparim”, thuhet në përfundim të rezolutës, duke e cilësuar Marrëveshjen Kombëtare për Përparim si arritjen e radhës kombëtare, ku paqja shndërrohet në progres dhe stabiliteti në mirëqenie për çdo qytetar. Gazeta Flaka
Kongresi i BDI-së, rezolutë : Veting gjithëpërfshirës për rikthimin e besimit në institucione
Kongresi i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) ka miratuar sot Rezolutën për shtetin e së drejtës, drejtësinë e pavarur dhe rikthimin e besimit në institucione, duke riafirmuar angazhimin e partisë për ndërtimin e një shteti modern, demokratik dhe evropian, të bazuar në barazi para ligjit dhe funksionim të drejtë të institucioneve.
Në rezolutë theksohet se shteti i së drejtës, demokracia dhe barazia para ligjit janë parime themelore pa të cilat nuk mund të ketë institucione funksionale dhe besim të qëndrueshëm të qytetarëve. BDI vlerëson se pa drejtësi të pavarur dhe të paanshme nuk mund të garantohet barazi reale ndërmjet qytetarëve dhe komuniteteve, as stabilitet institucional afatgjatë.
Dokumenti nënvizon se drejtësia selektive, mosndëshkimi dhe ndikimi politik mbi gjyqësorin dhe prokurorinë kanë minuar themelet e rendit demokratik, duke prodhuar pabarazi strukturore dhe duke dëmtuar seriozisht besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore. Në këtë kontekst, Kongresi i BDI-së vlerëson se korrupsioni sistemik dhe kapja e institucioneve paraqesin kërcënim serioz për stabilitetin institucional, zhvillimin ekonomik dhe perspektivën evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Rezoluta riafirmon qëndrimin e qartë të BDI-së se rikthimi i besimit në institucione nuk mund të arrihet pa një proces gjithëpërfshirës, të drejtë dhe të besueshëm të vetingut dhe hetimit institucional, pa përjashtime dhe pa selektivitet. Sipas Kongresit, drejtësia duhet të jetë e njëjtë për të gjithë, pa dallim etnie, bindjeje politike apo pozite shoqërore.
Po ashtu, theksohet se gjyqësori dhe prokuroria duhet të jenë realisht të pavarura, me buxhet të mjaftueshëm dhe me respektim të plotë të ligjit për financimin e tyre, si kusht për ushtrimin e paanshëm të funksionit të drejtësisë.
Në këtë frymë, Kongresi i BDI-së ka miratuar disa orientime dhe kërkesa konkrete politike, ndër të cilat:
Mbështetje të plotë për propozim-ligjin e BDI-së për veting me mbikëqyrje ndërkombëtare, si garanci për një proces të drejtë, të pakompromis dhe të besueshëm;
Hetim gjithëpërfshirës për të gjithë bartësit e funksioneve publike në 33 vitet e fundit, përfshirë ministra, deputetë, kryetarë komunash, drejtorë, gjyqtarë dhe prokurorë;
Verifikim të pasurisë dhe të prejardhjes së saj për çdo funksionar publik, si standard i domosdoshëm i transparencës dhe përgjegjshmërisë;
Hetim të thelluar institucional për procesin e privatizimit, i cili, sipas rezolutës, ka prodhuar pabarazi strukturore dhe ka krijuar oligarkë të paprekshëm;
Hetim dhe zbardhje institucionale të veprimtarisë së organeve të sigurisë së shtetit nga viti 1945 deri më sot (OZNA, UDB, SDB, DBK, UBK, ANB), në funksion të drejtësisë tranzicionale dhe transparencës historike.
Sipas Kongresit të BDI-së, kjo rezolutë përfaqëson një angazhim politik të qartë për rikthimin e besimit të qytetarëve në institucione, ndërtimin e një sistemi drejtësie të pavarur dhe vendosjen e barazisë reale para ligjit, si themel i një shteti demokratik, funksional dhe të drejtë për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Gazeta Flaka
Kongresi i BDI-së, rezolutë: Legjitimitet i dyfishtë për Qeverinë dhe mbrojtje e Badenterit
Kongresi i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) ka miratuar sot një Rezolutë për përforcimin e karakterit unitar të shtetit dhe konsolidimin e barazisë funksionale, duke riafirmuar angazhimin e partisë për ndërtimin e një Republike të Maqedonisë së Veriut demokratike, funksionale dhe të drejtë për të gjithë qytetarët.
Në dokumentin e miratuar, BDI thekson se karakteri unitar i shtetit forcohet vetëm përmes përfshirjes reale të të gjitha komuniteteve në proceset vendimmarrëse dhe se uniteti nuk mund të ndërtohet mbi shumicë mekanike apo praktika majorizuese, por mbi legjitimitet të dyfishtë, konsensus institucional dhe respekt të ndërsjellë ndëretnik.
Rezoluta nënvizon se besimi dhe lojaliteti i të gjitha komuniteteve janë parakusht për një shtet unitar të qëndrueshëm, në përputhje me frymën dhe përmbajtjen e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Në këtë kontekst, përfaqësimi i drejtë dhe barazia funksionale cilësohen si themel i kohezionit shoqëror dhe stabilitetit institucional.
Një nga pikat kyçe të rezolutës është kërkesa që çdo përbërje e re e Qeverisë të marrë besimin e Kuvendit jo vetëm me shumicën e deputetëve të pranishëm, por edhe me shumicën e deputetëve të komuniteteve jo-shumicë. Sipas BDI-së, ky mekanizëm do të sigurojë legjitimitet të dyfishtë të qeverisjes dhe do të garantojë përfaqësim real të të gjitha etnive në nivelet më të larta të vendimmarrjes, duke parandaluar majorizimin institucional.
Po ashtu, Kongresi ka theksuar rëndësinë e respektimit të parimit të Badenterit në Gjykatën Kushtetuese, duke vlerësuar se ligjet e miratuara me shumicë të dyfishtë në Kuvend nuk duhet të rrëzohen pa një shumicë të tillë edhe në radhët e gjykatësve. Sipas rezolutës, kjo do të ruajë integritetin e ligjeve që prekin të drejtat e komuniteteve jo-shumicë, do të rrisë besimin e qytetarëve në drejtësi dhe do të parandalojë çdo formë të majorizimit institucional.
Në pjesën e fundit, rezoluta vë theks të veçantë në thellimin e decentralizimit dhe fuqizimin e vetëqeverisjes lokale, duke e konsideruar këtë si shtyllë të demokracisë funksionale dhe zhvillimit të barabartë. BDI kërkon një fazë të re të decentralizimit funksional dhe fiskal, me transferim të mëtejshëm të kompetencave dhe sigurim të pavarësisë financiare të komunave, për rritjen e efikasitetit të shërbimeve publike dhe ndikimit real të qytetarëve në politikat lokale.
Sipas Kongresit të BDI-së, uniteti i shtetit konsolidohet jo përmes dominimit të shumicës, por përmes partneritetit të barabartë ndëretnik, funksionimit të drejtë të institucioneve dhe fuqizimit të pushtetit lokal, duke e cilësuar këtë si rrugën e vetme drejt një Maqedonie të Veriut stabile, funksionale dhe të drejtë për të gjithë qytetarët. Gazeta Flaka