BDI akuzohet për lidhje të dyshimta financiare mes Kërçovës dhe Beogradit, ndërsa kërkohet hetim për një kredi prej 5 milionë eurosh dhe shitjen e aksioneve të Stopanska Bankës së Manastirit.

Në një komunikatë publike, përfaqësues të opozitës pretendojnë se oligarku serb Davor Macura, aktualisht në paraburgim në Serbi, e mori kontrollin mbi ish-Stopanska Bankën e Manastirit, të riemërtuar më vonë në Alta Banka Maqedoni, duke blerë aksionet nga kompania familjare e Selahudin Arifit, të cilin e cilësojnë si krushk të Ali Ahmetit.

Sipas pretendimeve të publikuara, në tetor 2024 kompania kërçovare “AS Senjak”, në pronësi të Arifit, bleu një pako të konsiderueshme aksionesh në bankë. Më 9 qershor 2025, një kompani e lidhur me rrjetin e tij familjar mori kredi prej 5 milionë eurosh nga Alta Banka në Beograd.

Ndërkaq, më 17 shtator 2025, “AS Senjak” ia shiti aksionet Davor Macurës dhe Alta Bankës, duke i hapur rrugë marrjes së kontrollit mbi bankën në Maqedoni.

Autorët e komunikatës ngrenë dyshime se kredia prej 5 milionë eurosh mund të ketë pasur lidhje me financimin e hyrjes së Macurës në tregun bankar të Maqedonisë, madje shtrojnë pyetjen nëse shitja e aksioneve ishte kompensim i paracaktuar për këtë transaksion.

Ata kërkojnë që Prokuroria Publike dhe Drejtoria e Inteligjencës Financiare të hetojnë urgjentisht lidhjen e mundshme mes kredisë së qershorit dhe shitjes së aksioneve në shtator 2025.

Deri më tani, këto janë pretendime dhe dyshime të ngritura në komunikatë, të cilat kërkojnë verifikim nga institucionet kompetente.

Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.