BDI: “Prokuroria është shndërruar në instrument politik”

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar me shqetësim të madh pas vendimit të Prokurorisë Publike për të ngritur aktakuzë ndaj ish-ministrave të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe Valon Saraçini, në The post BDI: “Prokuroria është shndërruar në instrument politik” appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

qershor 14, 2025 - 11:30
 0  4
BDI: “Prokuroria është shndërruar në instrument politik”

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar me shqetësim të madh pas vendimit të Prokurorisë Publike për të ngritur aktakuzë ndaj ish-ministrave të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe Valon Saraçini, në lidhje me rastin “Koçani”.

Në një deklaratë për media, BDI e cilëson këtë vendim si një veprim politik me qëllime të qarta zgjedhore, duke akuzuar Prokurorinë se ka humbur pavarësinë dhe se po vepron në koordinim me qendra joformale të pushtetit.

“Kjo drejtësi selektive dhe veprim i qartë me motive politike përfaqëson edhe një dëshmi tjetër se Prokuroria jo vetëm që e ka humbur pavarësinë e saj, por është shndërruar në një instrument për përndjekje politike dhe inxhiniering zgjedhor”, thuhet në reagimin zyrtar.

Sipas BDI-së, qëllimi i aktakuzës është të ndikojë drejtpërdrejt në procesin e ardhshëm zgjedhor lokal, si dhe të frikësojë mediat kritike dhe zërat politikë shqiptarë.

“Prokuroria e ka humbur plotësisht besueshmërinë e saj duke mbrojtur funksionarët aktualë të qeverisë, ndërkohë që monton raste kundër ish-ministrave dhe kundërshtarëve politikë. Me këtë vendim, ajo zyrtarisht është deklaruar si institucion i kapur,” thekson më tej BDI.

Partia shqiptare opozitare ka paralajmëruar se do të ndërmarrë të gjitha hapat demokratikë dhe politikë për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor dhe shtetin e së drejtës.

Në fund të deklaratës, BDI i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare, në veçanti institucioneve që monitorojnë reformën në drejtësi, që të reagojnë dhe të mos heshtin përballë, siç thuhet, “abuzimit të hapur të institucioneve për qëllime politike”.

The post BDI: “Prokuroria është shndërruar në instrument politik” appeared first on Flaka, në çdo lajm... .