BDI: VLEN-i e kthen “Bardovcin” në biznes familjar – tenderi prej 42 mijë eurosh te kushëriri i drejtorit
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) akuzon pushtetin e VLEN-it për favorizim familjar në një tender të Spitalit Psikiatrik “Bardovci” në Shkup, me vlerë deri në 2,59 milionë denarë, apo rreth 42 mijë euro. Sipas BDI-së, kontrata për m...
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) akuzon pushtetin e VLEN-it për favorizim familjar në një tender të Spitalit Psikiatrik “Bardovci” në Shkup, me vlerë deri në 2,59 milionë denarë, apo rreth 42 mijë euro.
Sipas BDI-së, kontrata për mirëmbajtjen e sistemeve të sigurisë, licencat për 300 email-kuti, monitorimin e 300 kompjuterëve apo serverëve, firewall-in e gjeneratës së re dhe shërbime të tjera IT, i është dhënë kompanisë “Indigo Inc” DOOEL Shkup, në pronësi të Besim Avdullait.
BDI pretendon se Besim Avdullai është kushëri i drejtorit të Spitalit Psikiatrik “Bardovci”, Isa Avdullait. Sipas deklaratës së drejtorit, bëhet fjalë për kushëri të dytë ose të tretë.
Drejtori Isa Avdullai ka deklaruar se procedura është ligjore, duke theksuar se ai nuk ka qenë pjesë e komisionit për përzgjedhjen e ofertuesit.
Megjithatë, BDI kërkon që institucionet kompetente të hetojnë nëse gjatë procedurës është identifikuar dhe trajtuar në mënyrë të duhur konflikti i mundshëm i interesit.
Partia opozitare kërkon nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Byroja e Prokurimeve Publike dhe institucionet e tjera kompetente që të kontrollojnë të gjithë procedurën, përfshirë ofertat, kriteret e tenderit, pjesëmarrësit dhe rrethanat në të cilat është përzgjedhur kompania fituese.
“VLEN-i nuk mund të fshihet pas deklaratës ‘është ligjore’. Ligjshmëria duhet të dëshmohet, jo vetëm të deklarohet”, thuhet në reagimin e BDI-së.
BDI kërkon transparencë të plotë dhe përgjigje konkrete nëse në këtë procedurë ka pasur apo jo konflikt interesi, duke theksuar se paratë publike dhe tenderët shtetërorë duhet të menaxhohen në mënyrë transparente dhe pa favorizime familjare.
Deri në një verifikim zyrtar nga institucionet kompetente, pretendimet për konflikt interesi mbeten akuza të BDI-së.
The post BDI: VLEN-i e kthen “Bardovcin” në biznes familjar – tenderi prej 42 mijë eurosh te kushëriri i drejtorit appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.