BDI: VLEN me zgjidhje diskriminuese dhe të kushtëzuar për nxënësit shqiptarë në Butel
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj marrëveshjes së prezantuar nga zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani, për nxënësit shqiptarë të Shkollës Fillore „Petar Zdravkovski – Penko“ në Butel. Sipas BDI-së, marrëveshj...
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj marrëveshjes së prezantuar nga zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani, për nxënësit shqiptarë të Shkollës Fillore „Petar Zdravkovski – Penko“ në Butel.
Sipas BDI-së, marrëveshja ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Komunës së Butelit parasheh që nxënësit shqiptarë nga Çairi, të cilët banojnë pranë shkollës, të pranohen në klasat e para vetëm nëse kanë vëlla ose motër që tashmë ndjek mësimin në këtë shkollë.
„Kjo nuk është zgjidhje. Kjo është një mënyrë për ta kufizuar dhe kushtëzuar të drejtën e fëmijëve shqiptarë për arsim në gjuhën amtare“, thuhet në reagimin e BDI-së.
Partia opozitare ngre pyetjen se përse një fëmijë shqiptar duhet të ketë vëlla ose motër që ndjek mësimin në këtë shkollë për të pasur të drejtën e regjistrimit.
„E drejta për arsim në gjuhën shqipe nuk mund të varet nga historia familjare e nxënësit. Çfarë rregulle e re po shpiket vetëm që numri i nxënësve shqiptarë të reduktohet?“, deklaron BDI.
BDI pretendon se, nëse ekziston interesim i mjaftueshëm për hapjen e një paraleleje në gjuhën shqipe, institucionet duhet të krijojnë kushtet për një gjë të tillë dhe jo të vendosin kritere shtesë.
Në këtë drejtim, BDI kërkon që Ministria e Arsimit dhe Komuna e Butelit të publikojnë numrin e saktë të fëmijëve shqiptarë që kanë kërkuar regjistrim, kriteret mbi të cilat është bërë përzgjedhja dhe të garantojnë regjistrimin e të gjithë nxënësve që plotësojnë kushtet ligjore.
Partia kërkon gjithashtu që të mundësohet hapja e një paraleleje në gjuhën shqipe nëse numri i nxënësve e justifikon atë.
„Arsimi nuk është privilegj që jepet me marrëveshje politike. Është e drejtë“, thekson BDI.
Në fund, BDI paralajmëron se nuk do të pranojë, siç shprehet, trajtimin e fëmijëve shqiptarë në Butel si „nxënës të dorës së dytë“.
„Nëse ka 25 apo më shumë fëmijë shqiptarë që duan të mësojnë në gjuhën shqipe, duhet të hapet paralelja shqipe. Pikë“, thuhet në reagim.
BDI e përmbyll reagimin me akuzën se institucionet nuk po e zgjidhin problemin, por po e „menaxhojnë diskriminimin me marrëveshje“. Gazeta Flaka
The post BDI: VLEN me zgjidhje diskriminuese dhe të kushtëzuar për nxënësit shqiptarë në Butel appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.