BDI: Zero kadetë shqiptarë në Akademinë Ushtarake, VLEN-i nën kritika

BDI ka reaguar ndaj mospranimit të asnjë kadeti shqiptar në Akademinë Ushtarake, duke e cilësuar këtë si një precedent shqetësues që nga themelimi i institucionit në vitin 1995. Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka ngritur shqetësim...

Nëntor 6, 2026 - 12:01
BDI: Zero kadetë shqiptarë në Akademinë Ushtarake, VLEN-i nën kritika

BDI ka reaguar ndaj mospranimit të asnjë kadeti shqiptar në Akademinë Ushtarake, duke e cilësuar këtë si një precedent shqetësues që nga themelimi i institucionit në vitin 1995.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka ngritur shqetësime për përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore, pas publikimit të të dhënave se në konkursin e fundit të Akademisë Ushtarake nuk është pranuar asnjë kadet shqiptar.

Sipas BDI-së, për herë të parë që nga themelimi i Akademisë Ushtarake në vitin 1995, nuk është regjistruar asnjë kandidat shqiptar, një zhvillim që partia e cilëson si tregues të mungesës së përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.

Në reagimin e saj, BDI drejton kritika ndaj VLEN-it, duke vënë në pikëpyetje ndikimin e këtij koalicioni në institucionet shtetërore dhe aftësinë e tij për të garantuar përfaqësimin e shqiptarëve.

“Turpi i radhës i VLEN-it dhe praktika me zero shqiptarë vazhdon në Akademinë Ushtarake”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Partia vlerëson se përgjegjësia nuk mund t’i atribuohet vetëm VLEN-it, por edhe Qeverisë, e cila, sipas saj, duhet të garantojë respektimin e barazisë, përfaqësimit dhe marrëveshjeve politike ndërmjet partnerëve të koalicionit.

BDI paralajmëron se raste të tilla cenojnë frymën e Marrëveshjes së Ohrit, dobësojnë parimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat dhe mund të ndikojnë negativisht në marrëdhëniet ndëretnike.

Në këtë kontekst, BDI kërkon nga VLEN-i të japë përgjigje për atë që e konsideron mospërmbushje të premtimeve për përfaqësimin e shqiptarëve.

“Përfaqësimi nuk është privilegj, por parim. Dhe ai nuk mund të mbetet peng i kalkulimeve politike!”, përfundon reagimi i BDI-së. Gazeta Flaka

The post BDI: Zero kadetë shqiptarë në Akademinë Ushtarake, VLEN-i nën kritika appeared first on Flaka, në çdo lajm... .


Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.