BE-ja mesazh Serbisë pas zgjedhjeve: Detyrimet në dialogun me Kosovën mbeten në fuqi

Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në Serbi nuk ndryshojnë bazën e Dialogut të lehtësuar nga BE-ja me Kosovën dhe as detyrimet që palët kanë marrë përsipër në kuadër të procesit të normalizimit të mar...

tetor 28, 2026 - 12:30
BE-ja mesazh Serbisë pas zgjedhjeve: Detyrimet në dialogun me Kosovën mbeten në fuqi

Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në Serbi nuk ndryshojnë bazën e Dialogut të lehtësuar nga BE-ja me Kosovën dhe as detyrimet që palët kanë marrë përsipër në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve. Në një përgjigje për Radio Televizionin e Kosovës (RTK), zëdhënësi i Bashkimit Evropian ka theksuar se dialogu nuk varet nga liderë të veçantë politikë dhe se të gjitha zotimet e mëparshme mbeten në fuqi.

“Dialogu i lehtësuar nga BE-ja nuk varet nga liderë të veçantë politikë. Të gjitha zotimet ekzistuese mbeten në fuqi, përfshirë ato që burojnë nga Marrëveshja e vitit 2023 për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksi i saj i Zbatimit, i njohur si Marrëveshja e Ohrit”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të BE-së.

Sa i përket qeverisë së re që pritet të formohet në Serbi pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 25 tetorit, zyrtarët në Bruksel kanë treguar kujdes në vlerësimin e zhvillimeve të ardhshme politike. Sipas BE-së, në këtë fazë është ende herët të spekulohet nëse ndryshimet politike në Beograd do të ndikojnë në qëndrimin negociues të Serbisë apo në ecurinë e dialogut me Kosovën.

“Presim që Serbia të vazhdojë të angazhohet në mënyrë konstruktive, të respektojë zotimet e saj ekzistuese dhe të kontribuojë në përparimin drejt normalizimit”, ka theksuar zëdhënësi.

Bashkimi Evropian ka shprehur gjithashtu gatishmërinë për të bashkëpunuar me udhëheqjen e re në Serbi, me synimin për të garantuar vazhdimësinë e dialogut dhe për të ruajtur dinamikën e procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën. Ndërkohë, zhvillimet politike pas zgjedhjeve të 25 tetorit pritet të përcaktojnë përbërjen e re të institucioneve në Serbi dhe qasjen e tyre ndaj procesit të dialogut, ndërsa Brukseli ka ritheksuar se detyrimet e marra përsipër nga palët mbeten të pandryshuara.

The post BE-ja mesazh Serbisë pas zgjedhjeve: Detyrimet në dialogun me Kosovën mbeten në fuqi appeared first on InfoShqip.com.


Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.