Bedri Hamza dorëhiqet nga kreu i PDK-së
Bedri Hamza ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Vendimin e tij ai ua ka komunikuar anëtarëve të Kryesisë së partisë gjatë mbledhjes së mbajtur të mërkurën. Në një konferencë pë...
Bedri Hamza ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Vendimin e tij ai ua ka komunikuar anëtarëve të Kryesisë së partisë gjatë mbledhjes së mbajtur të mërkurën.
Në një konferencë për media, Hamza theksoi se lidershipi kërkon pjekuri si në marrjen e përgjegjësive, ashtu edhe në njohjen e momentit të duhur për t’u larguar. Sipas tij, ky hap i hap rrugë një procesi të ri zgjedhor brenda strukturave të PDK-së.
Gjatë fjalës së tij, ai nënvizoi se drejtimin e partisë e kishte marrë nga ndjenja e përgjegjësisë politike dhe jo nga ambiciet personale, duke veçuar se gjatë mandatit të tij prioriteti kryesor ka qenë ruajtja e unitetit të brendshëm partiak.
“Nuk po largohem nga PDK-ja, por vetëm nga pozita e kryetarit. Ky vendim nuk e zbeh besimin tim në vlerat tona të përbashkëta politike. Për sa kohë të kem jetë, do të mbetem anëtar dhe votues besnik i kësaj familjeje të madhe politike,” u shpreh Hamza.
Po ashtu, ai sqaroi se pritshmëria e tij kishte qenë që pas 16 shtatorit t’ua dorëzonte drejtimin e partisë ish-drejtuesve të UÇK-së që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë. Megjithatë, pas shpalljes së dënimit me 81 vjet burgim ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, Hamza konfirmoi se përpjekjet institucionalizuese për të kërkuar drejtësi do të vazhdojnë.(INA)
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.