Berisha i NISMA-s mohon zërat për koalicion me VV-në: Çka flasin Kurti dhe deputetët e tij veç rrejnë
Anëtari i Kryesisë së NISMA-s Socialdemokrate dhe ish-deputeti Zafir Berisha për FrontOnline ka folur ndaj aludimeve se NISMA është afër arritjes së një koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje (VV), duke i quajtur ato “të pavërteta” dhe “muhabete ditore”. Berisha është shprehur qartë se nuk ka asnjë lëvizje konkrete drejt një bashkëpunimi qeveritar mes partisë së tij

Anëtari i Kryesisë së NISMA-s Socialdemokrate dhe ish-deputeti Zafir Berisha për FrontOnline ka folur ndaj aludimeve se NISMA është afër arritjes së një koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje (VV), duke i quajtur ato “të pavërteta” dhe “muhabete ditore”.
Berisha është shprehur qartë se nuk ka asnjë lëvizje konkrete drejt një bashkëpunimi qeveritar mes partisë së tij dhe VV-së.
“Janë duke rrejt. Limaj mbrëmë e ka sqaru. Çdo gjë që flasin ata janë duke ja futur kot, për muhabete ditore” tha Berisha.
Ai shtoi se kreu i NISMA-s, Fatmir Limaj, ka sqaruar publikisht qëndrimin e partisë, duke theksuar se nuk ka interesim për të hyrë në Qeveri, por për të qenë pjesë e një mirëkuptimi parlamentar.
“Faktikisht Limaj e ka sqaru se nuk është i interesuar me hyrë në Qeveri, por me qenë pjesë e një mirëkuptimi në Kuvend, me idenë që disa ligje me i shtyrë përpara,” theksoi ai për FrontOnline.
Berisha gjithashtu mohoi se ka pasur takime të fundit ndërmjet përfaqësuesve të VV-së dhe NISMA-s, duke shprehur dyshim mbi qëndrimet publike të përfaqësuesve të pozitës.
“Nuk e di, por çdo deputet, prej Kurtit deri tek i fundit çka flasin veç rrejn. As nuk ka pasur takime kohës së fundit,” përfundoi Berisha.
