Bërvenica, era e pazarëve politikë: BDI e VLEN, kush po ia bën llogaritë Mickoskit?
Shkruan: Fejzi HAJDARI Bërvenica po kthehet në pasqyrën më të shëmtuar të politikës shqiptare: partitë që betohen se mbrojnë interesin kombëtar, kur vjen puna te pushteti, nuk arrijnë as të ulen në një tavolinë për të mos ia dorëzuar komun...
Shkruan: Fejzi HAJDARI
Bërvenica po kthehet në pasqyrën më të shëmtuar të politikës shqiptare: partitë që betohen se mbrojnë interesin kombëtar, kur vjen puna te pushteti, nuk arrijnë as të ulen në një tavolinë për të mos ia dorëzuar komunën një kandidati të VMRO-DPMNE-së.
Numrat e zgjedhjeve të kaluara janë të pamëshirshëm. Kur vota shqiptare u nda, kandidati i VMRO-së fitoi me rreth 150 vota diferencë. Pra, nuk bëhet fjalë për ndonjë epërsi të pakapërcyeshme, por për një garë ku përçarja shqiptare mund të jetë vendimtare.
Dhe pikërisht këtu lind pyetja që BDI-ja dhe VLEN-i duhet t’i përgjigjen publikisht: A është kjo papërgjegjësi politike, luftë për interesa partiake, apo ka ndonjë pazar që qytetarët nuk e dinë?
Nuk ka prova publike që dëshmojnë marrëveshje të fshehtë me Hristijan Mickoskin. Por kur partitë shqiptare e dinë se përçarja mund t’ia lehtësojë fitoren VMRO-së dhe, megjithatë, vazhdojnë të garojnë kundër njëra-tjetrës, dyshimet nuk mund të shuhen me deklarata boshe.
Nëse nuk ka pazar, le ta dëshmojnë me transparencë. Nëse nuk ka marrëveshje, le të shpjegojnë pse interesi partiak paska më shumë peshë se përgjegjësia ndaj votuesit shqiptar.
Sepse qytetarët nuk i votojnë për t’ia bërë matematikën Mickoskit, por për të përfaqësuar interesat e tyre. Ata nuk kanë votuar që partitë shqiptare ta shndërrojnë komunën në monedhë të mundshme shkëmbimi për kalkulime politike.
BDI-ja dhe VLEN-i nuk mund të fshihen pas flamujve shqiptarë, ndërsa me veprimet e tyre rrezikojnë t’ia hapin derën pushtetit maqedonas. Nëse kjo është pasojë e paaftësisë, le ta pranojnë. Nëse kanë arsye të tjera, le t’i bëjnë publike.
Bërvenica nuk kërkon patriotizëm nëpër studio televizive. Kërkon përgjegjësi.
Dhe nëse, pas gjithë këtyre numrave, partitë shqiptare vazhdojnë të mos japin shpjegime bindëse, qytetarët kanë të drejtë të pyesin: A po luftojnë për Bërvenicën, apo po luajnë një lojë, faturën e së cilës do ta paguajnë shqiptarët?
Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.