Burri u arrestua, kunati dyshohet për vrasjen e Arlindës: Tri ditë më parë, ajo i shkroi Prokurorisë se i rrezikohej jeta

Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime.” Këto janë fjalët tronditëse që Arlinda Sylaj Zekaj kishte shkruar në një letër drejtuar Kryeprokurores së Proku...

tetor 26, 2026 - 13:00
Burri u arrestua, kunati dyshohet për vrasjen e Arlindës: Tri ditë më parë, ajo i shkroi Prokurorisë se i rrezikohej jeta

Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime.”

Këto janë fjalët tronditëse që Arlinda Sylaj Zekaj kishte shkruar në një letër drejtuar Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, të cilën e kishte dorëzuar më 22 tetor 2026. Vetëm tri ditë më vonë, më 25 tetor, 49-vjeçarja u gjet e vrarë në shtëpinë e saj në Vitomiricë të Pejës.

Media ka siguruar letrën, e cila mban vulën e pranimit të Prokurorisë dhe në të cilën Arlinda kërkonte ndërhyrje urgjente të institucioneve, ekzekutimin e një urdhri gjyqësor dhe hetimin e zyrtarëve që, sipas saj, nuk kishin përmbushur detyrat e tyre.

Në letër, e cila ishte shënuar si urgjente, ajo shprehte shqetësimin për sigurinë e saj dhe kërkonte që institucionet përgjegjëse të ndërmerrnin masa konkrete. Sipas saj, përgjegjësitë po barteshin nga një institucion te tjetri, ndërsa rreziku për jetën e saj vazhdonte.

Arlinda kërkonte ekzekutimin e menjëhershëm të urdhrit gjyqësor, si dhe nisjen e hetimeve ndaj zyrtarëve të përfshirë, duke filluar nga Qendra për Punë Sociale.

“Kjo është shtesa ime e fundit”, kishte shkruar ajo në letër, duke shprehur frikën se institucionet mund të detyroheshin të jepnin llogari vetëm pasi të ndodhte tragjedia.

Në fund të letrës, ajo kishte lënë edhe një fjali që merr një domethënie të rëndë pas vrasjes së saj:

“Tani po e kuptoj pse ka kaq shumë vrasje!”

Tri ditë më vonë, u gjet e vrarë në shtëpinë e saj

Më 25 tetor, rreth orës 21:10, Policia e Kosovës mori njoftimin se Arlinda ishte gjetur pa shenja jete në dhomën e gjumit, në shtëpinë e saj në rrugën “Man Dedushaj”, në Vitomiricë të Pejës.

Sipas njoftimit të Policisë, rreth orës 19:00 të së njëjtës ditë, ishte raportuar një rast i dhunës në familje. Viktima ishte dërguar në stacionin policor, ku ishte intervistuar. Intervistimit i ishte nënshtruar edhe bashkëshorti i saj, i cili ishte arrestuar dhe dërguar në mbajtje për 48 orë.

Pas përfundimit të procedurave policore, Arlinda ishte kthyer në shtëpinë e saj me vullnetin e saj.

Rreth dy orë më vonë, policia u njoftua se ajo ishte gjetur e vdekur. Në vendin e ngjarjes dolën njësitë policore dhe ekipi mjekësor, i cili konstatoi vdekjen.

“Bazuar në të dhënat fillestare, dyshohet se vdekja e saj ka ardhur si pasojë e goditjeve me një mjet të fortë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka dalë në vendin e ngjarjes. Ndërkohë, sipas njoftimit policor, personi i dyshuar për vrasjen, që dyshohet të jetë kunati i viktimës, ndodhej në arrati.

Policia ka bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të vrasjes dhe lokalizimin e arrestimin e të dyshuarit.

Letra e dorëzuar tri ditë para vrasjes ngre pikëpyetje serioze për paralajmërimet e viktimës dhe reagimin institucional ndaj kërkesave të saj. Rrethanat e trajtimit të këtyre kërkesave dhe përgjegjësitë eventuale të institucioneve mbeten çështje që kërkojnë sqarim.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.