Byroja për Konfiskimin e Pasurisë po konsiderohet si ‘’armë politike’’ e Kurtit, opozita thotë se më së shumti do të atakohen zyrtarët e VV-së
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, e ka kthyer në epiqendër përsëri idenë për Projektligjin e Byrosë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Këtë e ka thënë gjatë një tubimi parazgjedhor, të mbajtur në Mitrovicë. Sipas Kurtit, i cili është edhe kandidat për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, ky projektligj nuk ka ku të shkojë më dhe
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, e ka kthyer në epiqendër përsëri idenë për Projektligjin e Byrosë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Këtë e ka thënë gjatë një tubimi parazgjedhor, të mbajtur në Mitrovicë.
Sipas Kurtit, i cili është edhe kandidat për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, ky projektligj nuk ka ku të shkojë më dhe se do të bëhet.
Po ashtu Kurti, shprehet se nuk është kundër njerëzve të pasur, por që shpreh interesim të dijë se nga i kanë marr paratë ata.
‘’Një herë Gjykata Kushtetuese na rrëzoi 5 me 2. Tash prapë është në Gjykatë Kushtetuese (Projektligjin për Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme). S’kanë ku me shku ma. Do të bëhet Byroja. Secili do të tregojë sa ka pasuri. Nuk kemi kurrgjë kundër njerëzve të pasur, veç duhet me na kallëzu kah i kanë marrë paret”, tha kryeministri Kurti.
Por kjo gjë nga opozita në vend, po shihet si e vonuar e madje sipas tyre, Kurti fillimisht do të duhej të fliste për dështimet e tij dhe për shpenzimet e tij, përpara se tëmerrej me këtë çështje, duke e konsideruar këtë gjë si ‘’armë politike’’ të tij.
Ferat Shala: Para se të merret me sektorin privat, Kurti duhet të sqarojë shpenzimet publike dhe dështimet e tij
Kandidati për deputet nga PDK, Ferat Shala, për FrontOnline, ka kërkuar që kryeministri Albin Kurti të japë llogari për shpenzimin e buxhetit të Kosovës gjatë katër viteve të tij në pushtet.
‘’ Kurti është dashur të jep llogari për shpenzimin e buxhetit për katër vite në pushtet’’ thotë ai.
Shala ka theksuar se, përpara se të merret me sektorin privat dhe ata që kanë punuar dhe jetuar me djersën e tyre, Kurti duhet të shpjegojë destinacionin e mbi 13 miliardë eurove të miratuara nga buxheti i shtetit.
‘’Ku kanë mbetur mjetet e buxhetit të miratuara, mbi 13 miliardë euro, ku janë projektet e zhvilluara me këto mjete financiare’’ potencoi Shala.
Ai gjithashtu ka kërkuar transparencë për energjinë që Kosova ka importuar gjatë qeverisjes së Kurtit.
‘’Kurti duhet të tregoj për rezervat shtetërore, a janë ardhur dhe ku janë mjetet e tyre. Kurti duhet të tregoj për mjetet financiare për ambalazhuesit’’ deklaroi Shala.
Kandidati i PDK-së ka theksuar se, përpara se të fokusohet në sektorin privat, Kurti duhet të japë llogari për rezultatet e qeverisjes së tij.
‘’Kryeministri duhet të tregoj për premtimet që i ka dhënë e që nuk i ka realizu, para se të merret me sektorin privat” përfundoi Shala për FrontOnline.
Nimani: Njerëzit e VV-së do të atakohen më së shumti nga Projektligji i Byrosë
Kandidati për deputet nga koalicioni AAK-Nisma-E30+, Artan Nimani, për FrontOnline, ka komentuar deklaratat e kryeministrit Albin Kurti në lidhje me Projektligjin e Byrosë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Nimani ka theksuar se këto deklarata janë më tepër një përpjekje për të motivuar militantët e VV-së dhe nuk kanë lidhje me realitetin.
‘’ Deklaratat e Kurtit tashmë janë në vazhdën e motivimit të militantëve të tij dhe realisht nuk kanë të bëjë me realitetin’’ thotë ai.
Ai ka shtuar se, gjatë periudhës kur Kurti ishte në pushtet për katër vite, ai kishte mundësinë për të realizuar këtë projekt, por nuk e bëri.
‘’Kurti që katër vite ishte në pushtet dhe e kishte mundësinë që ta realizonte atë’’ shton Nimani për FrontOnline,
Nimani mendon se mosrealizimi i këtij premtimi lidhet ngushtë me interesat e brendshme të partisë Vetëvendosje.
‘’ Unë mendoj se mos realizimi i këtij premtimi, për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme ka të bëjë me njerëzit e Vetëvendosjes, sepse çdo iniciativë, çdo ndërhyrje e Qeverisë, gjithmonë ka ndikuar tek njerëzit e VV-së’’ potencon ai.
Kandidati për deputet për FrontOnline ka theksuar se askush nuk është kundër një ligji të tillë, por ky duhet të jetë në përputhje me ligjet ekzistuese dhe të mos ketë efekte negative për qytetarët.
‘’Askush nuk është kundër këtij ligji, por duhet të jetë në kuadër të ligjeve në fuqi’’ theksoi ai.
Nimani ka paralajmëruar se njerëzit e VV-së do të jenë ata që do të atakohen më shumë nga ky projektligj.
‘’Njerëzit e VV-së do të atakohen më së shumti nga kjo byro’’, përfundoi Nimani.
Muhaxhiri: Byroja për Konfiskimin e Pasurisë ide e mirë, por metoda e Kurtit problematike, e shndërroj si ‘’armë politike’’
Analisti politik Artan Muhaxhiri ka komentuar për FrontOnline Projektligjin për Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, duke e cilësuar si një mundësi për të krijuar një standard të ri të llogaridhënies dhe transparencës.
‘’Byroja do të duhej të ishte një themel i reformës institucionale, gjyqësore, socio-politike, sepse do ta krijonte një standard të ri të llogaridhënies dhe transparencës’’ thotë ai.
Sipas tij, ky projekt mund të ishte një themel i reformës institucionale, gjyqësore dhe socio-politike, por mënyra e realizimit të tij nga kryeministri Albin Kurti ka sjellë problematika.
‘’Metoda që po e përdorë Kurti këtë projekt, duke e shndërruar në një ”armë’ politike dhe me një lloj presioni, e bënë problematike këtë ide dhe këtë projekt’’ shton Muhaxhiri.
Muhaxhiri ka theksuar se, megjithëse qëllimi i këtij projekti është pozitiv, metodat që po përdoren nga Kurti, duke e shndërruar këtë projekt në një “armë” politike dhe duke përdorur presion, e bëjnë atë më problematik.
‘’Qëllimi është i mirë, por mënyra se si Kurti po dëshiron ta realizoj, me probleme ligjore, me një qasje e cila është në kundërshtim me kornizat ligjore, e shndërron këtë projekt në ide populiste se sa e po e shtyn në përmirësimin e sistemit shtetëror dhe instutcional të Kosovës”, deklaroi analisti Muhaxhiri për FrontOnline.
Çka është Byroja për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme?
Ligji për Byronë e Verifikimit dhe Konfiskimit të Pasurisë ishte ndër premtimet kryesore të Kurtit e Vetëveneosjes. Me anë të kësaj byroje, Kurti premtonte se do ta sjellë barazinë që sipas tij u prish sepse disa njërëz, sidomos akterë politikë të opozitës u pasuruan pa bazë e në mënyrë të paligjshme.
Por, për ta miratuar këtë ligj në krah i dolën edhe opozitarët e LDK-së. Ligji u votua nga Vetëvendosje e LDK, në anën tjetër PDK-ja e dërgoi në Kushtetuese.
Ajo që duhet të dihet në lidhje me këtë ligj është se edhe pse në titull mban fjalën “konfiskim”, në përmbajtje të tij na tregon se nuk e konfiskon fare pasurinë e pajustifikueshme. Ajo që bën Byroja është t’i propozojë Gjykatës konfiskimin.
Ky ligj zbatohet ndaj personave zyrtarë dhe palëve të treta, që dyshohet se kanë fituar në mënyrë të pajustifikueshme, drejtpërdrejt ose tërthorazi.
Periudha nga ku mund të kontestohet kjo pasuri, mbanë datën e shpalljes së Pavarësisë, pra 17 shkrut 2008, si dhe një përiudhë prej 10 viteve nga momenti kur zyrtari pushon së ushtruar funksionin e tij.
Pesoni zyrtar llogaritet: “personi i zgjedhur apo i emëruar e i cili për punën, veprimtarinë apo angazhimin e tij ka pranuar ose pranon të hyra në formë të pagës apo çfarëdo lloj kompensimi nga buxheti i Kosovës apo në forma tjera nga institucionet apo ndërmarrjet publike të Republikës së Kosovës. Person zyrtar konsiderohet edhe personi që bartë autorizime publike si dhe personi i emëruar, pavarësisht nëse për punën e tij ka pranuar apo jo kompensim”
Propozimi për konfiskim të pasurisë nga kjo Byro drejt Gjykatës, bëhet vetëm nëse shpërputhja në mes të hyrave dhe pasurisë e tejkalojnë vlerën prej njëzetepesëmijë euro, nëse shpërputhja vlerësohet më pak se kaq, rasti mbyllet.