Çairi forcon masat kundër dhunës në shkolla

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, njoftoi se Komuna ka nisur hapat konkretë për krijimin e një platforme të përbashkët për parandalimin dhe menaxhimin e dhunës ndërmjet bashkëmoshatarëve në shkollat e Çairit, përcjell TV21. Sipas ...

shtator 3, 2026 - 20:00
Çairi forcon masat kundër dhunës në shkolla

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, njoftoi se Komuna ka nisur hapat konkretë për krijimin e një platforme të përbashkët për parandalimin dhe menaxhimin e dhunës ndërmjet bashkëmoshatarëve në shkollat e Çairit, përcjell TV21. Sipas Mexhitit, platforma do të bashkojë Komunën, shkollat, psikologët dhe shërbimet profesionale, mësimdhënësit dhe prindërit, me qëllim krijimin e një qasjeje të koordinuar dhe afatgjatë për trajtimin e kësaj dukurie.

“Siguria dhe mirëqenia e fëmijëve tanë kërkon më shumë se reagim pas një incidenti. Kërkon parandalim, edukim dhe veprim të përbashkët. Ne duam të veprojmë para se dhuna të ndodhë, jo vetëm të reagojmë ndaj pasojave të saj. Çdo fëmijë ka të drejtë të ndihet i sigurt, i respektuar dhe i mbrojtur në shkollën e tij, dhe për këtë përgjegjësia është e përbashkët”, deklaroi Mexhiti.

Sipas Mexhitit, në kuadër të platformës parashihen aktivitete edukative, punë e drejtpërdrejtë me nxënësit dhe prindërit, si dhe mekanizma më të fuqishëm për parandalimin, identifikimin dhe trajtimin në kohë të rasteve të dhunës.

Nisma vjen pas incidentit të rëndë në Çair, ku një 13-vjeçar u plagos me thikë dhe ndodhet në gjendje kritike. Për rastin janë arrestuar pesë persona. Sipas MPB-së, përleshja ndodhi më 31 gusht mes dy grupeve të të rinjve, ndërsa një 13-vjeçar dyshohet se përdori thikë dhe plagosi tre persona.


Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.