Çitaku kritikon Qeverinë: Projektligjet tjera po përshpejtohen, ai për Dhomat e Specializuara po zvarritet
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kritikuar mënyrën se si po shqyrtohen në komisionet parlamentare një numër i madh projektligjesh të propozuara nga Qeveria. Çitaku ka thënë se shumë prej këtyre projektligjeve, veçanërisht ato që lidhen ...


Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kritikuar mënyrën se si po shqyrtohen në komisionet parlamentare një numër i madh projektligjesh të propozuara nga Qeveria.
Çitaku ka thënë se shumë prej këtyre projektligjeve, veçanërisht ato që lidhen me sektorin e drejtësisë, po trajtohen me procedura të përshpejtuara, pa, sipas saj, analizë të mjaftueshme, debat substancial dhe dëgjime publike.
“Drejtësia nuk reformohet duke shmangur shqyrtimin parlamentar”, ka shkruar Çitaku, duke ngritur dyshime se ligjet mund të jenë duke iu përshtatur agjendës politike të pushtetit.
Ajo është ndalur veçanërisht te projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, për të cilin ka pretenduar se po mbahet nga ministrja, nën arsyetimin e “ekspertizës juridike”.
“Për ligjet e tjera, procedura të përshpejtuara. Për mbrojtjen e UÇK-së, zvarritje!”, ka shkruar ajo.
Çitaku u ka bërë thirrje ministres Donika Gërvalla dhe kryeministrit Albin Kurti, si dhe zyrtarëve përgjegjës, që projektligji të procedohet në Kuvend.
“Dëgjojeni popullin që tash e 15 ditë është në shesh”, ka deklaruar ajo, duke iu referuar protestave të organizuara në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të dënuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Çitaku ka paralajmëruar se, sipas saj, çdo ditë vonesë “vetëm sa ka për ta rënduar përgjegjësinë” e zyrtarëve dhe ka thënë se “dita e llogaridhënies do të vijë”.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.