Çitaku: PDK nuk do të bëhet pjesë e përmbysjes së rendit kushtetues, Kurti të vijë sonte në Kuvend

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka deklaruar pas thirrjes së vazhdimit të seancës konstituive për ditën e shtunë, Partia Demokratike e Kosovës e konsideron të papranueshme çdo përpjekje për, siç u shpreh ajo, përmbysjen e...

gusht 7, 2026 - 22:30
Çitaku: PDK nuk do të bëhet pjesë e përmbysjes së rendit kushtetues, Kurti të vijë sonte në Kuvend
citaku:-pdk-nuk-do-te-behet-pjese-e-permbysjes-se-rendit-kushtetues,-kurti-te-vije-sonte-ne-kuvend

citaku:-pdk-nuk-do-te-behet-pjese-e-permbysjes-se-rendit-kushtetues,-kurti-te-vije-sonte-ne-kuvend

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka deklaruar pas thirrjes së vazhdimit të seancës konstituive për ditën e shtunë, Partia Demokratike e Kosovës e konsideron të papranueshme çdo përpjekje për, siç u shpreh ajo, përmbysjen e rendit kushtetues.

“Është e papranueshme dhe është skajshmërisht e refuzueshme nga ana e Partisë Demokratike të Kosovës çdo përpjekje për të përmbysur rendin kushtetues. Demokracia nuk nënkupton vetëm zgjedhjet. Demokracia nënkupton respektimin e rregullave, ligjeve, rregulloreve, parimeve mbi të cilat ne jemi ndërtuar si shtet. Albin Kurti në një papërgjegjësi të paparë po refuzon të respektojë çdo rregull, çdo ligj, çdo normë”, deklaroi Çitaku.

Ajo bëri të ditur se PDK-ja po zhvillon mbledhjen e Grupit Parlamentar dhe tha se vendimet do të bëhen publike, por theksoi se partia nuk do të jetë pjesë e asnjë veprimi që, sipas saj, cenon rendin kushtetues.

“Ne jemi mbledhur sonte këtu, e kemi takimin e grupit parlamentar, do t’ju njoftojmë për vendimet tona, por një gjë jua them me siguri të plotë: Partia Demokratike e Kosovës nuk do të bëhet pjesë e përmbysjes së rendit kushtetues”, u shpreh ajo.

Çitaku tha se Kushtetuta përfaqëson sakrificën e shumë brezave dhe se institucionet kanë detyrim ta respektojnë atë.

“Dhe kur po flasim për Kushtetutën, shumë mund ta nënkuptojnë vetëm një libër, një copë letër. Por ajo Kushtetutë nënkupton gjak, djersë, mund, sakrificë të bërë jo vetëm në luftën e fundit, por të bërë me dekada, me shekuj. Dhe ne e kemi për detyrë ta nderojmë rendin, ligjin dhe Kushtetutën”, deklaroi sekretarja e PDK-së.

Në fund, ajo i bëri thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të vijë në Kuvend për konstituimin e tij.

“Ne i bëjmë thirrje Albin Kurtit që sonte të vijë në Kuvend, ta konstituojë Kuvendin dhe të ecim tutje. Edhe një herë: Kosova është më e madhe se çdo parti, se çdo lider. Ju ftoj të ecim përpara”, tha Çitaku.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.