Çitaku takon ambasadorin britanik, diskutojnë edhe për procesin në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, priti sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin diskutoi për zhvillimet e fundit politike në vend. Sipas ...


Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, priti sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin diskutoi për zhvillimet e fundit politike në vend.
Sipas njoftimit të PDK-së, Çitaku e vlerësoi pozitivisht përmbylljen e formimit të institucioneve, duke theksuar se tashmë nevojitet përqendrim në adresimin e sfidave të qytetarëve dhe në avancimin e prioriteteve shtetërore.
“Kosova përballet me sfida të rëndësishme që kërkojnë vëmendje të plotë institucionale, përgjegjësi dhe angazhim për të përmirësuar jetën e qytetarëve”, theksoi Çitaku.
Gjatë takimit u diskutua edhe për procesin gjyqësor pranë Dhomave të Specializuara në Hagë.
Siç thuhet në njoftim, Çitaku nënvizoi rëndësinë e respektimit të standardeve më të larta të drejtësisë, të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të vendimmarrjes së mbështetur në fakte e prova, të pavarur nga ndikimet politike.
Në takim, sipas njoftimit, u riafirmua rëndësia e partneritetit të qëndrueshëm të Kosovës me aleatët e saj, si dhe përkushtimi ndaj perspektivës euroatlantike të vendit, me synim anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.