Dasma në Viti kthehet në rrezik për banorët: Predhat bien pranë dy familjeve, Policia gjen 30 gëzhoja – ndalohet 62-vjeçari

Një aheng familjar në fshatin Vërban të Vitisë është kthyer në një incident serioz mbrëmjen e së dielës, pasi të shtënat që dyshohet se erdhën nga një dasmë kanë rrezikuar banorët e lagjes. Sinjali mëson se lidhur me rastin është ndaluar Sh...

gusht 10, 2026 - 11:00
Dasma në Viti kthehet në rrezik për banorët: Predhat bien pranë dy familjeve, Policia gjen 30 gëzhoja – ndalohet 62-vjeçari

Një aheng familjar në fshatin Vërban të Vitisë është kthyer në një incident serioz mbrëmjen e së dielës, pasi të shtënat që dyshohet se erdhën nga një dasmë kanë rrezikuar banorët e lagjes.

Sinjali mëson se lidhur me rastin është ndaluar Shaban Bislimi 62 vjeçar, i cili është prezantuar para Policisë si përgjegjës i familjes dhe i dasmës ku dyshohet se pati të shtëna.

Gjithçka nisi rreth orës 22:30, kur dy banorë të Vërbanit, ( emra të njohur për Sinjalin), raportuan në Polici se dy predha kishin rënë pranë tyre dhe familjarëve të tyre, duke i vënë në rrezik.

Dyshimet çuan policët te një dasmë që po mbahej në lagjen e Visheve, prej nga dyshohej se kishin ardhur të shtënat.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, Policia kontrolloi shtëpinë, oborrin, objektet përcjellëse dhe veturën e familjes.

Gjatë kontrollit, në oborr u gjetën 30 gëzhoja të kalibrit 7.65 mm, të shpërndara në pjesën perëndimore të shtëpisë.

Arma, megjithatë, nuk u gjet.

Sipas informacioneve të Sinjalit, familjarët kanë mohuar se kanë shtënë, ndonëse në oborr janë gjetur dhjetëra gëzhoja, ndërsa dy predhat e raportuara nga banorët janë marrë nga hetuesit si prova materiale.

Bislimi është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe, me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar për 48 orë.

Rasti është iniciuar për “Përdorim të armës” dhe “Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të zbuluar se kush shtiu gjatë dasmës dhe ku përfundoi arma e përdorur.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.