Dauti: Kamerat trupore hyjnë në dogana, 30 pajisje në tre pika kufitare

Doganierët në Tabanoc, Qafëthanë dhe Bllacë do të pajisen me kamera trupore, të cilat do të regjistrojnë kontrollet dhe veprimet zyrtare në pikat kufitare. Drejtoria e Doganave ka marrë 30 kamera trupore si donacion përmes ICITAP-it amerika...

shtator 17, 2026 - 15:01
Dauti: Kamerat trupore hyjnë në dogana, 30 pajisje në tre pika kufitare

Doganierët në Tabanoc, Qafëthanë dhe Bllacë do të pajisen me kamera trupore, të cilat do të regjistrojnë kontrollet dhe veprimet zyrtare në pikat kufitare.

Drejtoria e Doganave ka marrë 30 kamera trupore si donacion përmes ICITAP-it amerikan. Pajisjet synojnë të rrisin transparencën dhe kontrollin gjatë procedurave doganore, por edhe të ofrojnë mbrojtje shtesë për qytetarët dhe punonjësit.

Regjistrimet mund të përdoren si dëshmi dhe, kur është e nevojshme, të shkëmbehen me institucionet kompetente të zbatimit të ligjit.

Zv.drejtori i Doganave, Mustafa Dauti theksoi se kjo shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e standardeve të punës në pikat kufitare, ku zyrtarisht u prezantua sistemi i kamerave trupore, i siguruar përmes një donacioni nga Programi Ndërkombëtar për Trajnim dhe Asistencë në Hetimet Penale (ICITAP), në kuadër të Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Ky sistem përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt rritjes së transparencës, profesionalizmit dhe përgjegjësisë në punën tonë të përditshme. Nëpërmjet përdorimit të kamerave trupore synojmë të forcojmë kontrollin dhe integritetin në pikat kufitare, duke krijuar një mjedis më të sigurt dhe më transparent. Njëkohësisht, ky sistem do të na ndihmojë në parandalimin dhe luftimin më efikas të krimit, kontrabandës dhe korrupsionit, si dhe në rritjen e besimit të qytetarëve tek institucionet tona. Sot patëm kënaqësinë të mirëpresim përfaqësues të institucioneve vendore dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me të cilët ndajmë të njëjtin qëllim për forcimin e bashkëpunimit dhe avancimin e standardeve tona.

U.d. ambasadore e SHBA-së, Nicole Warns, deklaroi se teknologjia moderne do t’u mundësojë doganierëve t’i kryejnë detyrat me më shumë integritet, ndërsa SHBA-ja do të vazhdojë të mbështesë forcimin e sigurisë së kufijve.(INA)


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.