Dauti: Transformimi digjital i Doganës: Sistemi i tranzitit, menaxhimi i rrezikut, komtrollet dhe hetimet, Smart Borders – Kufij intelegjentë
Drejtoria e Doganave po kalon përmes një transformimi të rëndësishëm digjital. Për ne, teknologjia nuk është vetëm një mjet për ta modernizuar punën, por një mënyrë për ta bërë administratën doganore më të shpejtë, më efikase, më të sigurt ...
Drejtoria e Doganave po kalon përmes një transformimi të rëndësishëm digjital. Për ne, teknologjia nuk është vetëm një mjet për ta modernizuar punën, por një mënyrë për ta bërë administratën doganore më të shpejtë, më efikase, më të sigurt dhe më afër qytetarëve dhe komunitetit të biznesit.
Me implementimin e Fazës së 6 të Sistemit të Ri të Kompjuterizuar për Tranzit, kemi bërë një hap të rëndësishëm në modernizimin e procedurave të tranzitit dhe në harmonizimin e punës tonë me standardet që zbatohen në Bashkimin Evropian. Sistemi mundëson paraqitjen e një deklarate të vetme tranziti së bashku me njoftimet e sigurisë, duke kontribuar në lehtësimin e tregtisë, rritjen e sigurisë dhe reduktimin e mundësive për vonesa në pikat kufitare.
Një tjetër sistem i rëndësishëm është Sistemi i Menaxhimit të Rrezikut, i cili përmes analizës së të dhënave nga fusha të ndryshme doganore ndihmon në identifikimin më të saktë të rasteve me rrezik dhe në realizimin e kontrolleve më efikase dhe më të fokusuara. Kjo na mundëson që teknologjinë dhe të dhënat t’i përdorim për vendimmarrje më të informuar.
Në kuadër të digjitalizimit të kontrolleve dhe hetimeve po zhvillohet edhe Sistemi i Menaxhimit të Kontrolleve dhe Hetimeve. Ky sistem i integruar synon të mundësojë menaxhimin elektronik të aktiviteteve të kontrollit, hetimeve dhe inteligjencës, duke përmirësuar gjurmueshmërinë e rasteve, standardizimin e të dhënave dhe integrimin e proceseve. Me këtë sistem, synohet një qasje më e strukturuar dhe më efikase në menaxhimin e kontrolleve dhe hetimeve doganore.
Një hap i ri në këtë transformim janë edhe Smart Borders – Kufijtë Inteligjentë, përmes të cilëve teknologjia po shtrihet drejtpërdrejt në terminalet kufitare. Projekti parasheh automatizimin e terminaleve doganore përmes rampave dhe peshoreve digjitale, kamerave analitike dhe sistemeve për njohjen automatike të targave. Këto teknologji do të mundësojnë lidhjen e të dhënave të automjeteve, peshimit, videombikëqyrjes dhe procedurave doganore, duke mundësuar regjistrim më të shpejtë dhe më të automatizuar të importit, eksportit dhe tranzitit.
Të gjitha këto zhvillime po sjellin një transformim të rëndësishëm në mënyrën se si funksionon Dogana. Ky transformim nuk ka të bëjë vetëm me teknologjinë, por me krijimin e një mënyre më të thjeshtë, më të shpejtë dhe më transparente të punës, në funksion të një Dogane më moderne dhe më të përgatitur për sfidat e së ardhmes.
Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.