Deklaratat e Vuçiq për devijimin e Ibrit dhe Ujmanin, Fitore Pacolli kërkon reagim nga SHBA dhe BE
Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, i ka cilësuar si thellësisht shqetësuese dhe të papranueshme deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për mundësinë e ndërhyrjes në resurset ujore dhe...


Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, i ka cilësuar si thellësisht shqetësuese dhe të papranueshme deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për mundësinë e ndërhyrjes në resurset ujore dhe infrastrukturën që ndërlidhet me sistemin Ibër-Lepenc.
Pacolli ka thënë se Liqeni i Ujmanit dhe sistemi Ibër-Lepenc janë infrastrukturë kritike strategjike për Kosovën, duke theksuar se ato janë jetike për furnizimin me ujë të pijshëm, sektorin energjetik, bujqësinë dhe ekuilibrin mjedisor.
Ajo ka bërë thirrje ndaj Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara, Kombeve të Bashkuara dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë që të reagojnë ndaj deklaratave të Vuçiqit dhe të kërkojnë respektimin e së drejtës ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare.
Sipas Pacollit, çdo ndërhyrje, dëmtim, devijim apo ndryshim i njëanshëm i rrjedhave ujore dhe infrastrukturës përbën çështje të sigurisë ujore, energjetike, mjedisore dhe njerëzore, ndërsa Kosova, siç ka deklaruar ajo, do të mbrojë resurset ujore dhe infrastrukturën e saj kritike.
Deklaratat e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për mundësinë e ndërhyrjes në resurset ujore dhe infrastrukturën që ndërlidhet me sistemin Ibër-Lepenc janë thellësisht shqetësuese dhe të papranueshme.
Sipas Konventës së Helsinkit shtetet kanë detyrim të bashkëpunojnë për përdorimin e drejtë dhe të arsyeshëm të ujërave ndërkufitare, të parandalojnë dëmet ndërkufitare dhe të mbrojnë ekosistemet ujore. Resurset ujore nuk mund të përdoren si instrument kërcënimi, presioni apo destabilizimi ndaj një shteti tjetër.
Liqeni i Ujmanit dhe sistemi Ibër-Lepenc janë infrastrukturë kritike strategjike e Republikës së Kosovës. Ky sistem është jetik për furnizimin me ujë të pijshëm të qindra mijëra qytetarëve, për funksionimin e sektorit energjetik, për bujqësinë dhe për ekuilibrin mjedisor të një pjese të rëndësishme të vendit.
Prandaj, çdo deklaratë apo veprim që synon ndërhyrjen, dëmtimin, devijimin ose ndryshimin e njëanshëm të rrjedhave ujore dhe infrastrukturës ujore, me pasoja për Kosovën, nuk është çështje e politikës ditore. Është çështje e sigurisë ujore, energjetike, mjedisore dhe njerëzore, dhe duhet të trajtohet me seriozitetin maksimal nga bashkësia ndërkombëtare.
I bëjmë thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kombeve të Bashkuara dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë që të reagojnë ndaj deklaratave të tilla dhe të kërkojnë respektimin e plotë të parimeve dhe detyrimeve të së drejtës ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare.
Republika e Kosovës do të mbrojë resurset e saj ujore, infrastrukturën kritike dhe interesin e qytetarëve të saj, në përputhje me Kushtetutën, ligjet e Republikës së Kosovës dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.
